Censi i popullsisë në Durrës, të dhënat digjitale përshpejtojnë përpunimin

0
Shpërndaje lajmin

Një furgon informues për Censin e Popullsisë po bën një tur nëpër Shqipëri dhe së fundmi u ndal në Durrës.
Në sheshin përpara bashkisë u shpërndanë dhurata simbolike falënderimi, për këdo që ofrohej t’i hapte derën e shtëpisë anketuesve.
“Ditën e sotme ka ardhur furgoni, i cili po shpërndan disa materiale informuese për qytetarët duke qenë se më 18 shtator ka filluar dhe procesi i regjistrimit të popullsisë”, thotë Rustem Ndroqi, përgjegjësi i Censit për Prefekturën Durrës.
Janë rreth 531 anketues në të gjithë prefekturën e Durrësit, që kanë nisur punën në terren për të mbledhur të dhënat e detajuara derë më derë.
Dhe reagimi qytetar nuk mund të ishte më i mirë.
“Momentalisht nuk kemi shifra për të ofruar, por kemi parë reagimin e qytetarëve, të cilët edhe na telefonojnë në numrin e gjelbër të ofruar nga INSTAT, ose vijnë në zyrat që kemi pranë bashkisë Durrës dhe kërkojnë të regjistrohen, pra e shohin me pozitivitet këtë qasje”, shprehet Ndroqi.
Kur qytetarët durrsakë i drejtohen vetë zyrës qendrore të Censit të popullsisë dhe banesave?
“Ata vijnë tek ne, sepse mund të kenë orare që nuk gjenden nëpër banesat e tyre, ose disa do të ikin jashtë dhe duan të regjistrohen përpara se të largohen”, tregon ai.
Ndërsa ky proces i grumbullimit të të dhënave pritet të përmbyllet brenda datës 3 nëntor, deri më tani nuk raportohet asnjë problematikë.
Për herë të parë të dhënat do të grumbullohen në mënyrë digjitale, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre.
Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.
 
LEXONI GJITHASHTU:

OMONIA pretendime për parregullsi me censin: Po i bëhet presion minoritetit
Censi dhe debati për fenë/ Drejtuesit e komuniteteve fetare, rezerva për pyetësorin

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *