Cigaret elektronike shiten ilegalisht në Kosovë
Cigaret elektronike tash e sa kohë po tymosen edhe në Kosovë. Ato gjenden lehtësisht në treg dhe shiten në mënyrë ilegale, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konfirmon se trendi i përdorimit të tyre është në rritje. Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, thotë se nga këto cigare dëmtohet shëndeti i qytetarëve derisa kërkon që shitja e tyre të rregullohet me ligj sepse “shteti humb buxhet”.
Ky lloj i cigareve shitet në dyqane të vogla ilegalisht. Inspektorati i Tregut tashmë ka konfiskuar një sasi të tyre.
Ministria e Shëndetësisë tha se 32 shtete kanë ndaluar shitjen e cigareve elektronike, ndërsa shumë të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit.
“Aktualisht, ne adresimin e çështjes së cigarave elektronike shtetet deri tash kanë adaptuar dy qasje: Ndalimin e shitjes se tyre apo rregullimin e tyre me ligj. Janë së paku 32 shtete të botës që e kanë ndaluar shitjen e tyre, derisa 79 shtete të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit për shkak të këtyre produkteve të duhanit. Shtete të tjera janë në kerkim të adaptimit të zgjidhjeve më të përshtatshme për adresimin e kësaj çështje”, tha MSh.