Dalin raportime se janë gjetur mostrat e Astrit Deharit, institucionet e Kosovës heshtin
Asgjë nuk po konfirmohet rreth raportimeve se janë gjetur mostrat e humbura të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Heshtje totale rreth këtyre raportimeve ka rënë në Policinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Drejtësisë. Teksa dikush nga IML-ja u dha informacion mediave se të premten, njësia për hetime në Policinë e Kosovës kanë zbarkuar në IML pasi janë gjetur mostrat e Deharit, përcjell albinfo.ch.
Që nga java e kaluar është duke u raportuar se janë gjetur mostrat e zhdukura të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Ndonëse lajmi u publikua duke u thirr në burimet e mediave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, një gjë e tillë nuk u konfirmua as nga Policia e Kosovës, as nga IML-ja e as nga Ministria e Drejtësisë.
Të premten në media u raportua se njësia për hetime e Policisë së Kosovës ka kryer hetime në disa frigoriferë ku mbahen mostrat brenda IML-së. Atje u panë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, teksa detaje për praninë e tyre atje nuk u dhanë.
Mostrat e Deharit janë zhdukur në dhjetor të 2022-ës.
Në lidhje me zhdukjen e këtyre mostrave ishin suspenduar katër zyrtarë të IML-së, e që pas dy muajsh ata u rikthyen në vendin e tyre të punës.
Por që nga ajo kohë, ende nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, pati thënë se të gjithë të intervistuarit janë në cilësinë e dëshmitarëve.
“Një pjesë e mostrave nuk janë gjetur vazhdojnë të mungojnë dhe në ndërkohë policia së bashku me autorizimin e prokurorisë ka kryer hetimet edhe në IML për momentin për momentit aq sa kemi informata hetimet janë duke vazhduar mirëpo nuk i kemi asnjë informatë se dikush është i dyshimtë me sa dimë ne të gjithë janë në cilësinë e dëshmitarit nuk ka asnjë person të dyshimtë”, pati thënë për RTK Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së.
Ai pati konfirmuar se vazhdojnë të mungojnë mostrat e gjakut, teksa konfirmoi se janë gjetur vetëm mostrat e urinës dhe lukthit.
“Ende mungojnë mostrat e gjaku, janë gjetur vetëm mostrat e urinës dhe lukthit, është me rëndësi me thanë që ato mostra kanë qenë të ruajtura dhe janë shfrytëzua ma herët për analizat toksilogjike qoftë në Kosovë dhe jashtë Kosovës është dashur të jenë “, tha Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së.
Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, pati njoftuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ajo pati thënë se janë zhdukur 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit.
“Mbrëmë në orët e vona jam informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë në kuadër të IML-së. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në raksat apo mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit, nga këto Instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, pati thënë ajo në dhjetor të vitit 2022.