January 13, 2022

Dasmë pa nuse

Shpërndaje lajmin

Në Ohër dhe Prespë ditën e parë të korrikut u mbajt një takim që grumbulloi një numër të madh politikanësh dhe diplomatësh që kanë kontribuar në zgjidhjen e ngërçeve jo të pakta në procesin e demokratizimit të vendeve të Ballkanit. Aty ishin diplomatët amerikanë dhe ata evropianë, politikanë nga rajoni, duke përfshirë edhe zotin Cipras, që në cilësinë e kryeministrit të Greqisë nënshkruajti Marrëveshjen e Prespës para një viti. Në fakt, ky ishte edhe ,,sebepi” formal i takimit që përkonte me njëvjetorin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje që hapi rrugën për anëtarësim në NATO dhe që u propagua si ,,vizë” e sigurt për fillimin e negociatave të shumëpritura për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Por, përderisa e para ndodhi, negociatat për anëtarësim me BE u bllokuan nga Bullgaria. Duke marrë parasysh këtë rezultat, qëllimi dhe koha e mbajtjes së këtij takimi i ngjante asaj që populli e quan ,,si koshi pas të vjelave”. Meqë  koshi pas të vjelave më nuk është i nevojshëm, atëherë për ky takim mund të thuhet se ishte thirur për të ngushëlluan qeverinë dhe popullatën e dëshpëruar për mosrealizimin e premtimit të marrë nga autoritetet e BE-së. Kjo përshypje nuk ka se si të neglizhohet së pari për fakin se këtë aktivitet dhe këto fjalë ,,të fuqishme” për meritat e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, do të ishin më kuptimplote dhe më efektive nëse të njëjtat do të përdoreshin në kohën, vendin  dhe mënyrën e duhur. Ndjenja e ,,fajësisë,, te kontingjenti evropian të pjesëmarrësve mund të konstatohej me faktin që aty, kryesisht në formën on-line, u paraqitën ish-bartës të përgjegjësive të politikave për zgjërimin e BE-së, kurse kontingjenti amerikan ishte me pëfaqësues aktivë të Departamentit të Shtetit që e gjetën rastin që edhe një herë të kritikojnë hapur politikën, respektivisht ,,dështimin e politikave evropiane” ndaj përgjegjësive të tyre për aspirantët për anëtarësim në BE.

Vëzhguesi i mërzitur dhe i frustruar nga rezutatet e proceseve shterpe nuk ka se si të mos konstatojë se ç‘i duhej ministres së Jashtme të bëjë gjithë këtë ,,dasmë pa nuse”.  Kujt i shërbejnë arsyetimet dhe fjalët shpresëdhënëse të përfaqësuesve zyrtarë dhe jozyrtarë të vendeve që kishin në dorë vendimmarrjen që tani të na ofrojnë shpatullën e vet për të vajtuar mbi të.

Nënshkrimi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe Marrëveshja e Prespës sigurisht që janë ngjarje hsitorike që meritojnë të shënohen. Sidomos ajo e para që sivjet i bën njëzet vjet dhe është koha për të shënuar me një kuvend, ku do të mund të bëhet një bilanc i bëmave dhe atyre që duhet bërë. Nënshkrimi i saj si kontribut i saj i parë ndali luftën, kurse jetësimi i saj transformoi shoqërinë tonë dhe krijoi bazën kushtetuese për raporte të reja ndëretnike. Kurse e dyta së paku e futi vendin tonë nën ombrellën kolektive të sigurisë, në NATO. Arritje këtë për respekt që nuk duhet nënvlerësuar bile as relativizuar. Por, ama, tani që Evropa dështoi në mbajtjen e fjalës dhe ne përsëri  ,,pa fajin tonë” siç thuhet ,,mbetëm me gisht në gojë”, nuk e di se sa do të na ngushëllojnë fjalët dhe lëvdatat për arritjet tona, sa etike do të jetë ofrimi i ,,shpatullës” nga ana e atyre që ,,nuk folën aty dhe atëherë kur duhej”.

Ajo që do të ngelet me siguri efekt i kësaj ,,dasme pa nuse” me pjesëmarrës të shumtë dhe me kushte protokollare të nivelit të lartë, do të jetë fatura e majme që taksapaguesit tanë do të duhet ta paguajnë nga xhepi i vet i shprazët dhe eventualisht fotografitë dhe selfitë e politikanëve tanë, organizatorë të takimit, që mendojnë se ajo do të mjaftojë të ,,eglentisë miletin”.

Jo zotërij ministra, nuk ka nevojë t’i celebroni dështimet, edhe kur ato mund të mos jenë me fajin tuaj.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *