Dëme disamilionëshe në Skenderaj nga vërshimet

Shpërndaje lajmin

Uji që vërshoi të enjten disa zona të Kosovës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka shkaktuar dëme disa milionëshe në Komunën e Skenderajt – e cila është ndër më të prekurat.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, i cili në llogarinë e tij në Facebook publikoi edhe pamje të reja ku shihen dëmet që janë shkaktuar në infrastrukturë.
Ai ka bërë të ditur se tri ura në fshatin Llaushë janë dëmtuar rëndë dhe aktualisht janë jashtë funksionit.

“Dëmet vetëm në infrastrukturë janë disa milionëshe. Tri ura në fshatin Llaushë, të dëmtuara rëndë, janë tërësisht jashtë funksionit. Ekipet me mjete të rënda janë duke u mundur të krijojnë alternativa për qarkullimin e qytetarëve”, ka shkruar Nura në Facebook.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, të shtunën ka njoftuar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara.

Sipas MPB-së, aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshje me intensitet të ndryshuar pritet të ketë deri më 25 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *