October 28, 2021

Depozitat e reja në euro, në nivelin më të lartë në pesë vjet

Shpërndaje lajmin

Depozitat e reja në euro në sektorin bankar janë në nivelin më të lartë të të paktën gjashtë viteve të fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-prill të këtij viti vlera e depozitave të reja në valutën europiane arriti në 2.94 miliardë euro, në rritje me pothuajse 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas mënyrës së raportimit statistikor të bankës qendrore, kjo shumë përfshin edhe depozitat e rinovuara dhe nuk konsiston e gjitha në prurje të reja. Megjithatë, tendenca krahasuar me vitet e mëparshme dëshmon qartë një rritje të prurjes së depozitave të reja në euro brenda sektorit bankar për këtë vit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat totale në valutë në fund të muajit prill arritën në shumën e barazvlefshme të 605 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 8%.

Në fund të muajit prill, depozitat në valutë përbëjnë 53.6% e totalit të depozitave bankare dhe mes tyre euro vazhdon të ngelet monedha e preferuar e shqiptarëve për të mbajtur kursimet. Ndryshe nga sa po ndodh kredinë, ku leku po fiton terren me ritme të shpejta, euro ngelet dominuese në depozita dhe me sa duket perceptohet si një valutë më e besueshme nga publiku i gjerë.

Kjo mund të lidhet me euroizimin e konsiderueshëm të ekonomisë shqiptare dhe faktit që asetet me vlerë të madhe, kryesisht pasuritë e paluajtshme, kuotohen në euro.

Në pjesën dërrmuese, eurot në sektorin bankar futen në llogari rrjedhëse. Duke qenë se normat e interesit janë shumë të ulëta, pjesa më e madhe e klientëve të sektorit bankar nuk e shohin me interes investimin e tyre në depozita me afat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e interesit për depozitën më të përdorur me afat, atë 12 mujore, për muajin prill ishte vetëm 0.13%. Një tregues tjetër i tërthortë i ofertës në rritje të euros duket të jetë edhe ecuria e kursit të këmbimit.

Në gjysmën e parë të këtij viti, euro ka shfaqur një tendencë nënçmimi në kursin e këmbimit me lekun, që agjentët valutorë e shpjegojnë kryesisht me ofertën e lartë të euros në treg. Burimi i prurjeve të valutës jo gjithmonë mund të shpjegohet plotësisht me flukset formale.

Për tremujorin e parë të këtij viti, deficiti i llogarisë korrente u thellua në 309 milionë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zgjerimi me rreth 70 milionë euro i deficitit korrent megjithatë u kompensua nga një ecuri e qëndrueshme e investimeve të huaja direkt dhe sidomos nga rritja e flukseve në llogarinë kapitale.

Këto flukse konsistojnë kryesisht me tranferta kapitale në valutë të huaj ku përfituese është qeveria shqiptare. / E.Shehu/monitor/


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *