Deputetët e vazhdojnë debatin nga interpelanca për të pagjeturit edhe në Komision

Share

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka debatuar për atë çka ndodhi në interpelancën e së enjtes ku u diskutua për të pagjeturit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse në rend dite ishte shqyrtimi i draft-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjetra në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.

Deputetja e LDK-së, Saranda Musliu, tha se kjo çështje është marrë seriozisht nga institucionet.

Ajo ka kërkuar që kjo çështje të mospolitizohet e të përdorët për poenë politik.

“Tema e parë në Bruksel ka qenë tema e personave të pagjetur. Si asnjëherë më parë është marrë më me seriozitet. Mendoj që Driton Selmanaj brenda kompetencave të tij ka bërë sa ka mundur. Ne e patëm edhe interpelancën dhe duhet ta diskutojmë deri të zbardhet çështja e të pagjeturve”.

“Po shohim që ka gjetje të reja dhe kjo i përket të gjitha partive kështu që të krijojmë një unitet e bashkëpunim. Mos ta politizojmë e të marrim poenë politik. Sepse kemi shumë familje që presin akoma për eshtrat e këtyre personave. Të ndihmojmë këtë proces e jo të devijojmë temën. T’i ftojmë në raportim persona përkatës”.

Kryetarja e Komisionit Dude Balje, tha se dihet qartë se cila është pozita e Kosovës, por që duhet që të gjithë të bëhen bashkë për këtë temë.

“Ne jemi të një mendimi. Po ju lus mos me bë anën e tretë e katër. Këtu janë dy anë Beograd e Prishtinë. Bashkë mundemi me dal mirë. Ne jemi viktima kjo është pozita jonë”.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujveci, tha se duhet që të kërkohet më shumë angazhim nga institucionet ndërkombëtare që merren me çështjen e të pagjeturve.

“Një fakt dua të përmendi që përbrenda komisioneve as më herët s’ka pasur bashkëpunim mes deputetëve në Komision për të pagjeturit. Shpesh po mbesim mbrapa me të dhënat e proceseve. Ta gjejmë mënyrën se si ne mund të ndihmojmë në këtë drejtim”.

“Aspekt tjetër që është në avantazhin tonë është të krijojmë kontakte me institucione ndërkombëtare që merren me çështjen e të pagjeturve. Të bëhet një grup punues brenda Komisionit që merret direkt me temën e të pagjeturve meqenëse kemi disa tema që ne i trajtojmë”.

Deputetja e PDK-së, Valdete Idirizi, tha se duhet që të kërkojnë si Komision të dinë nëse institucionet kanë të dhëna të sakta sa janë dëmet e luftës, raporton EO.

“Kemi nevojë për bashkëpunim me komisionin qeveritar. Një kërkesë si Komision është se a e din shteti jonë se sa janë dëmet e luftës që Serbia i ka bërë Kosovës”.

“Unë kam kërkuar nga kryeministri po akoma s’kemi marrë përgjigje. T’i kemi këto informata nëse veç është vlerësuar”.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se përleshja e djeshme në Kuvend ka qenë mesazhi më i keq që është dhënë nga deputetet rreth kësaj çështje.

“Shembulli më i keq ka qenë seanca e djeshme. Mesazhi më i keq i shqiptarëve për çështjen e të pagjeturve. Me u trajtuar me seriozitet kjo çështje”.

“Kisha dashtë me qenë një pasqyrë e mirë e djeshmja. Ne jemi mbledhë me fol se çka do të bëjmë tash e tutje. Mendoj që duhet me ardhur në raportim Komisioni qeveritar. Që të dimë sa janë deri tash të zhvarrosur, a pritet me pas raste të tjera”.

The post Deputetët e vazhdojnë debatin nga interpelanca për të pagjeturit edhe në Komision appeared first on Arbresh.info.


Share

Komente