Dëshmitari në Hagë: UÇK-ja s’e njihte Rugovën, bënte presion që LDK ta pushonte aktivitetin në Malishevë

0
Shpërndaje lajmin

Dëshmitari i radhës i paraqitur në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se marrëdhëniet e UÇK-së dhe LDK-së “nuk ishin bash të mira”.
Dëshmitari i cili tha se ishte anëtar i LDK-së dhe gjithashtu pjesë e UÇK-së tha në dëshminë e tij se ka pasur presione që LDK-ja “ta pushojë aktivitetin në Malishevë”.
“Kur objektivat e UÇK-së dhe LDK-së, filluan këto objektiva të harmonizoheshin në 89-ën?”, ishte pyetja e prokurorit.
“Nuk ishin edhe bash të mira marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishin një masë e madhe të kyçur. Por nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha, sepse vazhdimisht ka pasur presione që LDK ta pushojë aktivitetin në Malishevë”, tha dëshmitari.
I pyetur se kush e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha: “E ushtronte drejtoria politike e UÇK-së që ishte në Malishevë”.
“Drejtoria politike a kishte komandant?”, pasoi pyetja.
“Për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi”, u përgjigj dëshmitari.
Dëshmitari tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Ibrahim Rugova.
Ai u pyet nëse ka pasur anëtarë të UÇK-së që i njihnin institucionet paralele.
“Po, ka pasë. Ka pasë edhe ushtarë, ka pasë edhe në shtab që i kanë njohur institucionet”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se ka pasur edhe individë që nuk i kanë njohur, por tha se “pjesa më e madhe i kanë njoftë”.
“A keni qenë në gjendje të kryeni ndonjë detyrë të LDK-së duke qenë pjesë e LDK-së?”, e pyeti prokurori, duke i thënë “jepni përgjithshësisht përgjigjet”.
“Kam punu, kam vepru me çfarë është dashur”, tha ndër tjerash dëshmitari.
I pyetur se si ishin reagimet ndaj tij, ai tha ndër tjerash se nuk është tërhequr, pasi tha se “kisha mbështetje dhe autoritet”.
Më pas, seanca u mbyll për publikun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *