DETAJET/ Si vjehrri ekzekutoi me 5 plumba dhëndrin që ishte në proces divorci me të bijën

Shpërndaje lajmin

Një 41-vjeçar është vrarë me armë zjarri mesditën e djeshme në Tiranë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50, pas një konflikti në familje, por i plagosur ka mbetur edhe ish-prokurori Adriatik Cama, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në konflikt kanë qenë të përfshirë Mexhit Picari, 53-vjeçar, i cili ka qëlluar me armë për vdekje ish-dhëndrin e tij, shtetasin Kudret Saliaj, 41 vjeç, që ishte në proces divorci me gruan dhe dje ishte seanca e radhës, por që nuk u zhvillua.

Sipas dëshmitarëve, pas ngjarjes ishprokurori Cama, aktualisht avokat dhe që mbronte interesat e viktimës në procesin e divorcit, ka qenë i vetëdijshëm dhe ka qëndruar aty derisa ka mbërritur Policia. Ai ka qenë i tronditur për ngjarjen dhe nuk ka pranuar që kolegë të tij ta dërgonin në spital.

“Gjatë kësaj ngjarje është plagosur edhe avokati, i cili ishte në tavolinë bashkë me viktimën. Ka dëshmitarë okularë. Është e dokumentuar plotësisht autorësia. Për hollësi të tjera do t’ju njoftojmë më pas”, u shpreh nga vendi i ngjarjes drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

ARRESTIMI

Afro një orë e gjysmë pas ngjarjes, Policia arriti të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes.

“Rreth orës 11:50, në bulevardin ‘Gjergj Fishta’, dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. (ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës”, njoftonte Policia në informacionin paraprak.

Më tej, në një informacion të dytë, Policia e Tiranës njoftoi se kishte vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes.

“Policia e Tiranës vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur pak më parë. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve të shpejta profesionale u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të ngjarjes, shtetasi Mexhit Picari. Menjëherë pas ngjarjes, Policia zhvilloi shumë kontrolle dhe pas informacioneve të marra u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes dhe kapja e autorit”, tha Policia.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, Policia arrestoi edhe vajzën e autorit, 33- vjeçaren Dhurata Salaj, pasi nga kamerat e sigurisë rezultoi se ajo ishte në lokal në momentin kur ndodhi krimi.

Në këtë formë u provua se ajo kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Policia tha mbrëmë zyrtarisht se vajza e autorit, kishte bashkëpunuar me të në krim.

DESHMIA E AUTORIT

Mexhit Picari, në dëshminë e dhënë para hetuesve, ka thënë se viktima i kërcënonte prej kohësh, edhe pas ndarjes nga bashkëshortja.

Sipas Picarit, kërcënimet e vazhdueshme të viktimës e kanë detyruar atë që të mbajë armë me vete.

Dje, 53-vjeçari ka thënë para hetuesve se ka shkuar te Gjykata për të shoqëruar të bijën në seancën gjyqësore, por viktima është afruar dhe ka ofenduar vajzën, duke bërë që ai ta qëllojë për vdekje me disa plumba.

“Me Kudretin kishim konflikte të vazhdueshme prej muajsh. Pasi u nda nga vajza dhe ma solli në shtëpi pa e lejuar të shohë fëmijët, ai ka vijuar të na kërcënojë dhe ofendojë. Ka ardhur te shtëpia dhe te biznesi disa herë. Për shkak të kërcënimeve unë mbaja armën me vete. Sot kam shkuar të shoqëroja vajzën për në Gjykatë sepse kishte seancën. Aty u përballa me Kudretin. Ai ofendoi vajzën time dhe unë e qëllova. Pas krimit kam hedhur armën dhe jam larguar drejt Unazës së Re në shtëpinë e motrës”, ka thënë Picari.

Drejtori i Policisë: Viktima kishte probleme me bashkëshorten

Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e djeshme në afërsi të Gjykatës së Tiranës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Kudret Saliaj, 41 vjeç. Autori i dyshuar i krimit të rëndë është vjehrri i tij, Mexhit Picari, 53-vjeç, ish-polic i burgjeve, vajza e të cilit ndodhej në proces divorci me viktimën dhe në Gjykatë ndodheshin pikërisht për këtë qëllim.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, tha se viktima dhe bashkëshortja e tij, përkatësisht Kudret dhe Dhurata Saliaj, 33 vjeçe, kishin pasur probleme për një kohë të gjatë, ndërsa shtoi se autori i dyshuar i krimit është Mexhit Picari, ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes.

“Sot, në orën 11:50 minuta ka ndodhur një ngjarje e rëndë pranë një lokali ku është vrarë një person, i cili ka qenë në proces divorci me bashkëshortin e vet. I ati i vajzës është autori i kësaj ngjarje të rëndë. Si rezultat i kontrolleve të shpejta u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në drejtorinë e policisë së Tiranës. Viktima ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e tij”, theksoi kreu i PSolicisë.

Ai bëri me dije gjithashtu se Dhurata Saliaj kishte qenë e arrestuar më parë për dhunë në familje.

“Bashkëshortja ka qenë e arrestuar për probleme të dhunës në familje. Po bëheshin seanca për divorc. Në këto kushte, babai i vajzës ka goditur ish-dhëndrin e vet”, u shpreh Jaupaj.

Shefi i Policisë së kryeqytetit tha gjithashtu se nga ngjarja kishte mbetur i plagosur edhe avokati i viktimës, ish-prokurori Adriatik Cama, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. /panorama

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *