Detajet tjera: E mbijetuar vetëm vajza 3-vjeçare, por në gjendje të rëndë

Share

auto citroen1610653385

Në aksidentin e ndodhur këtë mbrëmje në aksin rrugor Rrubnik-Rrëshen, ku një automjet ‘Citroen’ me të cilën udhëtonin një familje kosovare u përplas me kamionin, i cili drejtohej nga shtetasi kosovar I. Ishala, kanë humbur jetën 3 persona të familjes Avdija dhe një i afërm i tyre.

Konkretisht nga përplasja fatale kanë humbur jetën B. Avdiaj, 45 vjeç, A. Avdiaj 34 vjeç dhe dy fëmijët K. Koçi 11 vjeç, nipi i familijes dhe M. Avdiaj, 5 vjeç. 11-vjeçari ishte i afërm i viktimave.

Ndërsa e vetmja e mbijetuar nga familja është V. Avdiaj, vetëm 3 vjeç, e cila ka mbërritur në spitalin e Traumës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Burimet bëjnë me dije se gjendja vazhdon të jetë e rënduar, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Familja Avdiaj ishte rezidente në Zvicër, ndërsa ishin nisur nga Kosova drejt Shqipërisë. Të dyja mjetet e përfshira në aksident këtë mbrëmje ishin me targa të Kosovës.

Edmond Tarkaj, drejtor i policisë së qarkullimit rrugor, në një prononcim për Report Tv tha se dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të një parakalimi të gabuar të mjetit tip ‘Citroen’ në një aks ku nuk lejohet një gjë e tillë, duke sjellë dhe përplasjen fatale me kamionin. Ai tha se është shoqëruar drejtuesi i kamionit, i cili ndodhet në gjendje të mirë.

“Ngjarja është me katër viktima të një familje, drejtuesi i mjetit është burri i familjes, B. Avdiaj dhe ka shpëtuar vetëm një vajzë 3 vjeç, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës. Mjeti vinte nga Kukësi drejt Milotit ku është përplasur edhe me kamionin. Drejtuesi i kamionit është shoqëruar paranë organeve të komisariatit të policisë Mirditë dhe ndodhet në gjendje të mirë. Ai shprehet se ka qenë një parakalim i gabuar nga mjeti ‘Citroen’ që shkaktoi aksidentin në një aks që nuk lejohet parakalimi”, tha Tarkaj.

Nait Hasani jep detaje tjera

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, ka qenë pranë ambienteve të Spitalit të Traumës për të mësuar nga afër gjendjen e 3-vjeçares V. Avdijaj, e mbetur e plagosur në aksidentin e ndodhur në rrugën e Kombit dhe ku humbi dy prindërit, motrën dhe një të afërm të sajin.

“Ka ndodh një aksident në Rubik. Kemi katër të vdekur, një është i lënduar, një fëmijë. Është me lëndime të rënda, është në gjendje ende jo stabile. Mjekët janë duke bërë përpjekje për trajtimin dhe ekzaminimin, ato që kanë mundësi, për ti shpëtuar jetën. Kështu, kemi katër të vdekur. Janë nga Prishtina ose më saktë nga rrethi i Prishtinës. Shoferi i kamionit është nga komuna e Rahovecit. Është e dhimbshme! Familjarëve u shprehim ngushëllime”, tha ndër të tjera Hasani.

Sa i përket gjendjes së trevjeçares, ambasadori u shpreh se ka dëmtime në këmbë, stomak dhe në kokë.

Burrë e grua dhe dy fëmijë kanë ndërruar jetë nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën e Kombit pasi automjeti i tyre tip “Citroen” është përplasur me një kamion që drejtohej nga një tjetër shtetas nga Kosova, I. Ishala, raporton Ora News.

Dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para tij në një pikë kthese.


Share

Komente