DOSJA/ Në Itali e Vjenë, zbardhen udhëtimet e Beqajt me Rrapaj dhe administratorin e kompanisë që mori koncesionin e sterilizimit 100 milionë euro

0
Shpërndaje lajmin

Udhëtime dhe njohje të mëparshme deri në dhënien e një koncesioni me vlerë 100 milionë euro janë në brendësi të dosjes së Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb” thuhet se Ilir Beqaj, atë kohë ministër i Shëndetësisë dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe administratori i shoqërisë koncesionare Sani Service kanë kryer udhëtime së bashku. Ashtu siç zbulohen edhe udhëtimet e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj me biznesmenin Rrapaj.
Gjatë hetimeve paraprake, më datë 15 nëntor 2021 është bërë këqyrje e sistemit TIMS për të dhënat e shtetasve Ilir Rrapaj, administrator i Investal, Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të procedurës së komisionit të dhënies së Koncesionit, Umbro Staccini, shtetas italian, administrator i Tecnosanimed dhe një nga aktorët kryesorë të Koncesionarit Sani Service, Ilir Beqaj, titullari i Autoritetit kontraktor dhe Admir Daca, administrator i Sani Service. Nga procesverbali, u vërejtën edhe hyrjet dhe daljet e këtyre personave nga territori i Republikës së Shqipërisë ku rezultoi se:
Shtetasit Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas, nga Italia, më datë 15 qershor 2014 përkatësisht në orën 21:12, 21:14 dhe 21:10.
Nga këqyrja e të dhënave nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rezulton se më datë 15 qershor 2014 është bërë postim mbi takimet e kryera nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj më datë 13 qershor 2014. Kjo periudhë përkon me veprimet përgatitore të Koncesionit.
– Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Romë, në datë 26 mars 2015, përkatësisht në orën 16:34 dhe 16:25 (kjo periudhë përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave). Për këtë udhëtim Klodian Rjepaj, ka marrë “autorizim për shërbimin jashtë vendit”, datë 18 mars 2015 për të marrë pjesë në një vizitë pune në rajonin e Umbrias, Itali, për takime zyrtare me autoritetet e larta shëndetësore të rajonit në zbatim të marrëveshjes midis rajonit të Umbrias dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ilir Rrapaj është një nga aktorët kryesorë si pjesë e Confimi Umbria, në bashkëpunimin e Rajonit Umbria me Ministrinë e Shëndetësisë.
– Shtetasit Ilir Rrapaj, Umbro Staccini dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, Peruxhia më datë 13 prill 2016, përkatësisht në orën 13:14, 13:07 dhe 13:10.
– Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore në datë24 nëntor 2016 përkatësisht në orën 11:33 dhe 11:34.
– Shtetasi Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare Sani Service që prej datës 1 dhjetor 2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në këtë kohë, kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Vjena më datë 25 shtator 2016, përkatësisht në orën 14:15 dhe 14:06.
Gjithashtu në dosje rezulton se Rrapaj e Rjepaj përfunduan studimet bashkë me fakultetin e mjekësisë në 1991-1994, bashkë me shtetasin A.LL., i cili është drejtor ne kompaninë koncesionare Sani Service. Po kështu njohjen mes Rrapajt dhe Rjepajt e konfirmoi bashkëstudentja D.N.
DOSJA
Më 2 nëntor 2021 në Universitetin e Mjekësisë është kryer këqyrja e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga shtetasi Klodian Rjepaj në këtë Universitet. Nga këqyrja rezultoi se shtetasi Klodian Rjepaj ka ndjekur vitet akademike në vitet 1990-1998, të ndara në dy periudha. Në vitet 1990-1994 dhe më pas në vitin 1994-1995 nuk ka frekuentuar studimet, për vitin 1995-1996 ka dhe shënimin “përsërit vitin”. Edhe për vitin 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Më pas rezulton se ku shtetas ka kryer studimet në vazhdim në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.
 
 
Në këto regjistra vërehet se ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Rrapaj.
Në regjistrin 8 Mjekësi, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasi Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992- 1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike. Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet. Për vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin “Përsërit vitin”. Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Gjithashtu, në të njëjtin regjistër në “regjistrin 7”, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, vërehet emri i shtetasi A.LL. i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.
Shtetasi A.LL. rezulton të jetë Drejtor në kompaninë Koncesionare Sani Service që nga krijimi i saj. Gjithashtu, ai është administrator i kompanisë “Gamaservice”, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga Koncesionari Sani Service për periudhën Prill 2020-dhjetor 2021 në vlerën 116 966 534 lekë (referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve). Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton se Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë ndjekur bashkë studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1991-1994 (1995-1996 të dy nuk kanë frekuentuar studimet). Gjithashtu, këta të fundit kanë përfunduar studimet me shtetasin A. Ll.
Gjithashtu më 22 dhjetor 2021 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja D. N., e cila kur është pyetur lidhur me faktin nëse ka njohje me shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj ka deklaruar se: “Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992. Më pas unë jam larguar nga Shqipëria dhe kam vazhduar studimet në vitin 1995. Në dijeninë time edhe Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe ka lënë studimet e i është rikthyer përsëri më vonë. Gjithashtu kam punuar me Klodianin në Institutin e Shëndetit Publik në vitet 2008-2013, ku Klodiani ka qenë menaxher i programit kombëtar të HIV-AIDS.
Sa i përket njohjes me biznesmenin, D.N. ka deklaruar: Po e njoh Ilir Rrapajn pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet, Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *