January 20, 2022

Drafti i qeverisë për ‘Grupet Vendore të Veprimit’ mund të sjellë edhe rreziqe

Shpërndaje lajmin

Një projektligj i qeverisë që synon të krijojë mekanizma për përfshirjen e komunitetit në projektet e zhvillimit rural konsiderohet i vonuar nga ekspertët e shoqërisë civile – por ngre gjithashtu shqetësime për rrezikun e kthimit të këtyre grupeve në zgjatime të pushtetit lokal.

Një djalosh vizaton hartën e Shqipërisë me ndarjen e re territoriale në një mur. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Më 24 nëntor, Këshilli i Ministrave miratoi një projektligj për ngritjen e Grupeve Vendore të Veprimit, GVV –një mekanizëm që synon të përfshijë komunitetet lokale në identifikimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit rural në Shqipëri.

Sipas projektligjit, GVV-të do të jenë organizata jofitimprurëse me anëtarësi, në përbërje të së cilave do të jenë përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të sektorit jo-publik, të tillë si fermerë ose sipërmarrje të tjera, grupime të komunitetit apo përfaqësues të shoqërisë civile.

Drafti shpjegon gjithashtu se autoritetet publike apo grupet e interesit nuk mund të kenë më shumë se 49% të së drejtës së votës në organet drejtuese të GVV-ve.

Projektligji është konceptuar sipas qasjes LEADER [Lidhje Ndërmjet Ekonomisë Rurale dhe Projekteve Zhvillimore], i cili funksionon në vendet e Bashkimit Europian dhe është kërkesë për shpërndarjen e fondeve që vijnë nëpërmjet programit IPARD për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

Ekspertët i thanë BIRN se Shqipëria është shumë e vonuar me rregullimin ligjor për ngritjen e GVV, por shprehën gjithashtu dyshime për mënyrën se si ato do të funksionojnë në praktikë apo për peshën që do të ketë pushteti vendor në vendimarrje.

Sipas Evelina Azizajt, koordinatore e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, krijimi i GVV-ve ka qenë një kërkesë e kahershme e shoqërisë civile, pasi i shërben zbatimit të instrumentit evropian për zhvillimin e integruar rural, që njihet ndryshe si qasja LEADER.

Megjithatë, Azizaj shtoi se krijimi i GVV-ve nuk është “diçka që mund të arrihet brenda natës” dhe se kërkon besim të ndërsjelltë mes aktorëve vendorë, atyre publikë dhe privatë si dhe shoqërisë civile.

“GVV-të duhet të jetë produkt i një procesi të tillë gjithëpërfshirës në komunitet, duke iu larguar proceseve të mbyllura ku përfshihet një grusht njerëzish,” tha Azizaj për BIRN.

E pyetur nga BIRN se sa e garanton ky projektligj fjalën e komunitetit lokal në raport me pushtetin, Azizaj pranoi se drafti mbart edhe rreziqe.

“Procesi mund të dominohet nga qeverisja lokale dhe GVV të shihet si zgjatim i bashkive,” paralajmëroi ajo, duke theksuar se GVV-të nuk duhet të kthehen në struktura paralele të bashkive apo si qendra të shpërndarjes së fondeve IPARD.

Juliana Hoxha, drejtoreshë e organizatës “Partners Albania” i tha BIRN se projektligji ndjek në linja të përgjithshme direktivën e BE-së, por ajo shtoi gjithashtu se konceptimi i GVV-ve si OJF krijon paqartësi për thithjen e fondeve IPARD – një program që nuk financon organizata jofitimprurëse.

“Në çdo rast, subjektet qe marrin fonde IPARD duhet të jenë të regjistruara në Qendrën e Biznesit, që nuk është rasti për OJF-të,” tha ajo për BIRN.

Hoxha shtoi gjithashtu se në ligj është i paqartë niveli i decentralizimit të këtyre strukturave, garantimi i transparencës dhe i konfliktit të interesit si dhe mënyra e financimit të tyre.

“Është e paqartë se kush është autoriteti i GVV-ve përkundrejt Ministrisë së Bujqësisë, përsa i përket përcaktimit të financimit për çdo projekt që lidhet me strategjinë e zhvillimit,” tha Hoxha, ndërsa e cilësoi ‘problematik’ përqendrimin e të gjitha funksioneve të autoritetit kontraktues tek ministri.

Hoxha vëreu gjithashtu se projektligji ka probleme me terminologjinë për barazinë gjinore.

“Barazia gjinore e adresuar nëpërmjet “dy grave“ në Bordin Drejtues është jo korrekte. Në termat e gjuhës do të duhej “gra dhe vajza” dhe në çdo rast duhej të kishte një kuotë në përqindje për garantimin e barazisë gjinore,” shtoi Hoxha.

Metoda “LEADER” e përfshirjes së partnerëve vendorë në drejtim të zhvillimit të zonave rurale zbatohet nga Bashkimi Europian në vitin 1991, me një fond prej 1.2 miliardë eurosh. Në vitin 2020, fondi ka arritur në 9.7 miliardë euro dhe numri i organizatave të ngjashme me GVV-të në 3 mijë.

Azizaj i tha BIRN se në Shqipëri ka pasur tentativa për t’i krijuar këto struktura më herët dhe në disa raste me sukses sipas saj, por që nuk kanë funksionuar në vazhdimësi për mungesë mbështetjeje.

“Në këtë këndvështrim, ngritja e GVV-ve plotëson një detyrim,’ tha ajo, ndërsa i cilësoi këto grupe një motor zhvillimi për zonat rurale ‘nëse do të funksionojnë siç duhet”.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *