Durrësi çel sezonin turistik, çfarë synohet këtë vit
Mbrëmjen e djeshme, Durrësi hapi zyrtarisht sezonin turistik, por kushtet atmosferike nuk lejuan mbarëvajtjen e koncertit “Vala”, i parashikuar për t’u mbajtur në shëtitoren “Taulantia”.
Rrebeshi i shiut që goditi Durrësin për disa minuta, shkaktoi anulimin e tij, pasi të pranishmit nxituan drejt lokaleve dhe strehave përreth, për të mos u lagur.
Koncerti i së shtunës i paraprin një serie aktivitetesh të larmishme, që do të mbahen në ditët në vijim nën kujdesin e bashkisë Durrës.
“Java e Turizmit vazhdon me një kalendar të larmishëm dhe të pasur aktivitetesh. Fillojmë me promovimin e “Shtigjeve natyrore”, me “Open door activities”, që janë aktivitete sportive përgjatë shëtitores së re në plazhin e Durrësit.
Do të vazhdojmë me maratonën e vrapit me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, si dhe me shfaqje të ndryshme teatrale e kështu me radhë.
Do të jetë një sezon turistik mjaft i pasur ndaj ju ftojmë që të vini dhe shijoni potencialet turistike që qyteti i Durrësit ka, pasi njihet jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe atë kulturor, të aventurës etj”,– deklaroi për mediat Floreta Kërtusha.
Durrësi synon edhe këtë vit, të jetë kryeqyteti i turizmit në Shqipëri dhe të tejkalojë shifrën prej 1.5 milionë turistë që u regjistruan sezonin e kaluar veror.