“Dy ditët e qëndrimit në Rinas nuk rrezikojnë vaksinën, sipas protokolleve të Pfizer”

Share

Pas dokumentave të siguruara nga A2 se vaksina e Pfizer qëndroi 2 ditë në aeroportin e Rinasit dhe u zhdoganua vetëm një 1 orë para fillimit të vaksinimit, ekspertët e shëndetësisë shpjegojnë kushtet si erdhi Pfizer në vendin tonë.

Erida Nelaj, përgjegjëse e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), thotë se vaksina është mbajtur në kuti termike dhe sipas protokolleve të kompanisë: “Erdhi me kuti polisteroli, me trashësi shumë të madhe, ku vendosen flakonët, më pas derdhet sasi e madhe akulli i thatë. Është azot i lëngshëm, i ngurtësuar, që realizon temperatura -80 gradë celsius. Kështu, mund të qëndrojë për 5 deri 7 ditë. Kështu është transportuar në çdo vend të botës”.

Pas transportit me kuti termike nga Gjermania në Rinas, vaksinat janë vendosur në frigoriferët -80 gradë, në ISHP. Ato që janë përdorur ditën e parë të vaksinimit dhe në vijim, më herët nxirren në temperatura që stimulojnë shkrirjen.

Fushata e vaksinimit të mjekëve dhe infermierëve të strukturave Covid po bëhet me ritme të ngadalta, rreth 60 persona në ditë, dhe kjo, sipas specialistëve, për të mos penguar punën në spitale. Por, sipas parashikimeve dhe dozave që pritet të sigurohen, vaksinimi në Shqipëri do të marrë 1 vit kohë.

Aktualisht, Shqipëria ka siguruar vaksinimin e 500 mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid përmes dozave dhuratë. Pas një jave pritet të mbërrijnë 10 mijë të tjera, nga blerja që i është bërë kompanisë Pfizer-Biontech. Me ardhjen e tyre, vaksinimi do të shtrihet edhe tek të moshuarit mbi 75 vjeç.


Share

Komente