Edhe sot vazhdon testimi i shndërrimit të unazës në Prishtinë

0
Shpërndaje lajmin

Komuna e Prishtinës edhe të shtunën dhe të dielën do të vazhdojë me testimin e radhës të shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Komuna bën të ditur se i tërë procesi do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Testimi i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete ka shkaktuar të premten kolona dhe pritje të gjata, gjë që irritoi qytetarët. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se një testim i tillë në ditë pune u ka mundësuar të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.
Rama ka thënë se kanë pranuar edhe mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare “për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.
“Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka shkruar mes tjerash i pari i Prishtinës.
Ndryshe, qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:
– Rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë
– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore– Rruga “Ukshin Hoti”
– Rruga “Robert Doll”Komuna e Prishtinës u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.
Rama ka thënë se testim i sotshëm ka ndodhur për shkak që të premteve kryeqyteti është më i ngarkuar me vetura, andaj ka qene i nevojshëm për të shikuar dhe kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.
“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobiliet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën, të dielën, faktikisht kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke ‘incinzuar’ edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, ka thënë Rama.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *