Ekonomia nuk rimëkëmbet pas vitit të pandemisë

Shpërndaje lajmin

Të dhënat indirekte të të ardhurave buxhetore për periudhën pesëmujore janar-maj 2021 tregojnë se aktiviteti ekonomik është në të njëjtat nivele me vitin 2019, pavarësisht shpenzimeve të shumta dhe rritjes së shpejtë të borxhit publik.

Ndërtime në Tiranë. Pavarësisht valës së ndërtimeve, punësimi dhe konsumi mbeten në nivele të ulëta pas pandemisë së COVID-19. Foto: BIRN

Ekonomia shqiptare duket se po tregon tendencë stanjacioni, pa rritje të qarkullimit ekonomik dhe me rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, ndërkohë që borxhi publik lulëzon dhe shpenzimet bujare të qeverisë për rindërtim nuk konvertohen në rritje të përgjithshme të konsumit.

Të dhënat e Ministrisë së Financave mbi të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në pesë muajt e parë të këtij viti është pak a shumë në të njëjtat nivele me vitin 2019, duke mos shënuar rimëkëmbjen e aluduar se do të ndodhte si pasojë e zgjerimit të borxhit publik dhe procesit të rindërtimit pas tërmetit.

Të dhënat e punësimit, të publikuara nga INSTAT, tregojnë gjithashtu se në sektorin privat në tremujorin e parë të këtij viti ka pak a shumë po aq të punësuar nga sa ka pasur në tremujorin e parë të vitit 2018, duke shënuar një stanjacion të gjatë në tregun e punës jo të lidhur me pandeminë dhe tërmetin. Edhe këtu, bumi i ndërtimit i financuar me borxh publik nuk duket të ketë kontribuuar në rritje të punësimit dhe konsumit.

Për periudhën janar-maj 2021, të ardhurat totale të qeverisë ishin 191.6 miliardë lekë, me një rritje minimale prej 1.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Të ardhurat e këtij viti janë dukshëm më të larta se sa në vitin 2020, kur pjesa më e madhe e ekonomisë u paralizua si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Por duke marrë parasysh se disa taksa janë rritur këtë vit, si dhe normën e inflacionit nga viti 2019 deri më sot, të ardhurat faktike të qeverisë duket se reflektojnë një gjendje ekonomike më të keqe nga sa shqiptarët e kishin dy vjet më parë.

Të ardhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në janar-maj 2021 ishin 55.2 miliardë lekë. Kjo shifër është vetëm 0.5% më e lartë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Dhe nëse marrim parasysh inflacionin përgjatë periudhës dyvjeçare, atëhere, nëse vendi nuk ka njohur ndonjë rritje të evazionit fiskal, shifrat sugjerojnë se në fakt, konsumi i gjerë i popullsisë dhe bizneseve është dy-tre pikë përqindjeje më i ulët se sa në vitin 2019, kur vendi nuk ishte i goditur as nga tërmeti dhe as nga pandemia. [Link statistikat]

I vetmi zë ku qeveria ka njohur rritje të konsiderueshme të të ardhurave është ai i “Të ardhurave nga Fondet Speciale”, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Të ardhurat në pesëmujorin e këtij viti ishin 10% më të larta se sa të ardhurat e të njëjtës periudhe të vitit 2019; shifër që reflekton rritje të barrës fiskale mbi qytetarët dhe bizneset, në veçanti mbi të vetëpunësuarit e biznesit të vogël, përmes metodës së rritjes së pagës minimale.

Pavarësisht krizës ekonomike, qeveria rriti pagën minimale me 15%, nga 26 mijë në 30 mijë lekë këtë vit, një masë e reklamuar si politikë sociale në ndihmë të punonjësve me paga të ulëta. Kjo rritje pritet t’i kthejë qeverisë mbi 3 miliardë lekë të ardhura shtesë. Rritja rëndon veçanërisht në xhepat e rreth 100 mijë shqiptarëve, të cilët janë të vetëpunësuar në biznese të vogla dhe që për rrjedhojë, nuk mund t’i rrisin pagën vetes, por që thjesht detyrohen të rrisin pagesën e sigurimeve shoqërore.

Të dhënat administrative të punësimit të publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu stanjacion në nivelin e punësimit në sektorin privat dhe rritje të fortë të të papunëve të regjistruar. [Link]

Sipas këtyre të dhënave, në tremujorin e parë të këtij viti kishte gati 509 mijë të punësuar në sektorin privat jobujqësor, pra njerëz që janë të punësuar dhe marrin një pagë mujore. Në të njëjtën periudhë të vitit 2019, sektori privat kishte 502 mijë të punësuar ndërsa në vitin 2018 kishte afro 501 mijë, gjë që sugjeron se këtë vit nuk kemi rritje të punësimit me periudhën e parakrizës së pandemisë dhe tërmetit.

Kriza e pabarabartë, pa punë dhe pa ndihmë ekonomike

Shqipëria përjetoi krizën më të rëndë në dy dekada për shkak të goditjes së dyfishtë nga tërmeti dhe pandemia, megjithatë, kriza dukshëm nuk i ka goditur shqiptarët njësoj. Madje mund të thuhet se për një pjesë jo të vogël të shqiptarëve, kriza nuk ka sjellë ndryshime në nivelin e të ardhurave. Ndërsa të ardhurat e buxhetit të shtetit shënojnë stanjacion në terma nominalë dhe rënie të lehtë në terma realë në  krahasim me periudhën e para krizës, rreth 95 mijë shqiptarë janë sot të regjistruar si të papunë në kërkim të punësimit. Statistikat e të papunëve të regjistruar [Link] në fakt nuk është se shërbejnë për të kuptuar përmasat reale të krizës për shkak se si punëkërkues aktivë ka detyrimin të regjistrohet vetëm ajo pjesë e shoqërisë që përfundon në nevojë për ndihmën ekonomike minimale që ofron skema kryesore e mbrojtjes sociale të vendit. Pjesa më e madhe e të papunëve duket se nuk regjistrohen te zyrat e punës, ndërsa ndihma ekonomike që ofrohet vetëm pas regjistrimit si punëkërkues aktiv, është e kushtëzuar nga rregulla dhe procedura të panumërta.

Në tremujorin e parë të këtij viti, në zyrat e punës kishte 95 mijë të regjistruar, afro 25 mijë më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Nga këto 95 mijë, rreth 30 mijë marrin ndihmë ekonomike, 6 mijë marrin pagesë papunësie ndërsa pjesa tjetër nuk marrin kurrfarë ndihme shtetërore.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *