September 25, 2021
Shpërndaje lajmin

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor u goditën rëndë nga pandemia – dhe rruga e rimëkëmbjes, megjithëse e hartuar, mbetet e pasigurt.

Foto ilustruese: Pixabay.

Ardhja e pandemisë së COVID-19 në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020 solli katastrofë për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke fundosur planet e tyre çër një rrije ekonomike.

Ndërsa linjat e furnizimit u ndërprenë, eksportet ranë dhe sezoni turistik u anulua pak a shumë. Krahasimi i të dhënave midis 2019 dhe 2020 tregon se të gjashtë vendet në rajon pësuan një goditje të madhe.

Në pamundësi për të adresuar sprovat që godisin ekonominë globale, shumica e përpjekjeve të qeverive në rajon u përqendruan në mënyrë të kuptueshme drejt zbutjes së problemit të menjëhershëm të humbjeve të vendeve të punës dhe në mbajtjen e kompanive lokale në këmbë përmes paketave stimuluese.

Por tani, ndërsa kriza shëndetësore, me sa duket, po i afrohet fundit, ekspertët shqetësohen se kjo nuk do të ndalë problemet ekonomike të vendeve.

Me stimujt qeveritarë që pritet të mbarojnë, dhe zinxhirët globalë të furnizimit ende të ndërprerë, dhe kostot e transportit për mallra dhe lëndë të parë të fryra, ata druhen se firmat mund të vazhdojnë të pushojnë më shumë njerëz nga puna dhe të rrisin çmimet me pakicë.

Ekonomitë bëjnë mbrapa

Dy punonjëse me maska mbrojtëse në një supermarket në Tiranë. Foto: LSA

Një krahasim i të dhënave ekonomike nga viti 2019, një vit para krizës shëndetësore, dhe nga viti 2020, kur deri në mars-prill ashpërsia e situatës ishte e dukshme, tregon dëmin që pësuan vendet e Ballkanit Perëndimor.

PBB-së ranë dhe borxhet publike u rritën në të gjithë rajonin.

Maqedonia e Veriut, pasi shënoi një rritje të PBB-së prej 3.6 për qind në vitin 2019, vitin e kaluar regjistroi rritje negative prej minus 5 për qind.

Vendi e mbylli vitin 2020 me një borxh publik prej pak më shumë se 51 për qind të PBB-së, më shumë se dhjetë pikë përqindje më i lartë se në fund të vitit 2019, kur shifra ishte 41 për qind.

Mali i Zi gjithashtu përjetoi një recesion të thellë në vitin 2020, pasi kriza e COVID-19 i shkaktoi një dëm veçanërisht të rëndë industrisë më të rëndësishme të vendit, asaj të turizmit. Duke e mbyllur vitin 2019 me një rritje të PBB-së prej 4.1 për qind, vendi shënoi një rënie dramatike prej 15.2 për qind të PBB-së në 2020.

Sipas parashikimit ekonomik të Komisionit Evropian nga maji 2021, të ardhurat nga turizmi vitin e kaluar kontribuuan vetëm 3.5 për qind në PBB-në e Malit të Zi, krahasuar me 22.2 për qind në 2019.

Borxhi publik malazez gjithashtu u rrit. Duke qëndruar në relativisht të lartë me 78 për qind të PBB-së tashmë në 2019, viti 2020 pa një rritje në 105 për qind, pjesërisht falë vendimit të qeverisë në vitin 2020 për të marrë një hua prej 750 milionë eurosh për të mbuluar boshllëqet në buxhetin e shtetit.

Për Kosovën pa dalje në det, turizmi nuk është faktor aq i rëndësishëm sa për Malin e Zi, por rënia ekonomike ishte gjithashtu e dukshme. Në vitin 2019, Kosova regjistroi rritje të PBB-së prej 4.9 për qind. Në vitin 2020, ajo ra në minus 4.4 për qind.

Në vitin 2019, borxhi publik i Kosovës arriti në 17.46 për qind, i cili ishte atëherë një rekord i lartë për dhjetë vitet e mëparshme. Sipas FMN-së, në fund të vitit 2020, borxhi publik arriti një lartësi të re prej 24.5 për qind të PBB-së.

Për Shqipërinë, 2019 ishte tashmë një vit i vështirë, kryesisht për shkak të tërmetit që goditi qytetin bregdetar të Durrësit, i cili është një nga qendrat më të mëdha të transportit dhe ekonomisë së vendit. Shqipëria regjistroi rritje më të ulët sesa pritej të PBB-së atë vit me vetëm 2.2 për qind.

Kur kriza shëndetësore preku vendin në vitin 2020, efektet ishin edhe më shkatërruese dhe Shqipëria e mbylli vitin me një rënie prej 4.7 për qind të PBB-së. Borxhi publik qëndroi në 66 për qind në fund të vitit 2019, por në vitin 2020 ai u rrit në 75 për qind.

Në vitin 2019, Bosnja dhe Hercegovina regjistroi një rritje të PBB-së prej 5.34 për qind. Por pas një tremujori negativ në vitin 2020, ajo e mbylli atë vit me një rritje negative të PBB-së prej minus 4.3 për qind.

Borxhi publik gjithashtu u rrit në Bosnjë nga pak më shumë se 31 për qind që ishte në 2019, në pak më shumë se 35 për qind në fund të vitit 2020.

PBB-ja e Serbisë gjithashtu pësoi një goditje të konsiderueshme, por, duke gjykuar nga të dhënat, vendi arriti rezultatet më të mira, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë.

Në vitin 2019, Serbia regjistroi një rritje të PBB-së prej 4.2 për qind. Megjithatë, gjatë vitit 2020 të goditur nga kriza, PBB-ja e saj ishte minus 1.1 për qind, një rënie me 5.3 për qind.

Danko Brcereviç, një ekonomist nga Këshilli Fiskal i Serbisë, organi i pavarur shtetëror i ngarkuar me vlerësimin e politikës monetare, thotë se Serbia u mbajt mirë në vitin 2020 falë kryesisht prodhimit të saj të fortë në bujqësi, në krahasim me shërbimet dhe turizmin, dhe gjithashtu duke mos zbatuar masa të rrepta epidemiologjike pas majit 2020

“Bujqësia pa një rritje prej rreth 4 për qind dhe masat e ashpra shtetërore që ofrojnë ndihmë financiare për kompanitë dhe qytetarët gjithashtu parandaluan një krizë më të ashpër ekonomike”, tha Brcereviç për BIRN.

Megjithatë, borxhi publik i Serbisë gjatë pandemisë ende u rrit ndjeshëm. Në fund të vitit 2019, ai qëndroi në 52 për qind të PBB-së. Në fund të vitit 2020 ai ishte rritur me 5.4 për qind.

Subvencionet mbajtën larg papunësinë

Ilustrimi: BIRN.

Vendet nga rajoni e kaluan pjesën më të madhe të vitit 2020 duke dhënë subvencione për të zbutur efektet e krizës. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve u shkoi kompanive, për t’i mbajtur ato në këmbë, dhe për të mbështetur pagat dhe kështu për të parandaluar që bizneset të pushonin shumë njerëz nga puna në të njëtën kohë.

Serbia, për shembull, dha gjithashtu çeqe për popullsinë e përgjithshme, që synonin stimulimin e konsumit.

Ndërsa efektet afatshkurtra të kësaj politike patën një farë suksesi, jo të gjithë bien dakord që të dhënat zyrtare statistikore, që tregojnë vetëm një rritje të lehtë të papunësisë, janë reale.

“Të dhënat e papunësisë mund të mos jenë të vërteta pasi ato tregojnë vetëm njerëzit që janë regjistruar në mënyrë aktive si duke kërkuar punë, duke krijuar përshtypjen se shifrat e papunësisë po bien, kur në të vërtetë situata në realitet është ndryshm”, tha profesori i ekonomisë Abdulmenaf Bexheti, i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Maqedoni e Veriut.

Kështu, statistikat zyrtare të Maqedonisë së Veriut thonë se papunësia në të vërtetë ra gjatë pandemisë, nga 17.7 për qind në 2019 në 16.4 për qind në 2020.

Në Kosovë, shkalla e papunësisë gjithashtu në dukje ra në vitin 2020. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2019 ajo ishte 25.7 për qind. Të dhënat më të fundit në dispozicion për tremujorin e tretë të vitit 2020 thonë se papunësia ra lehtë gjatë krizës në 24.6 për qind.

Në Serbi, po ashtu, të dhënat zyrtare tregojnë një rënie të papunësisë. Zyra e Statistikave e Serbisë thotë se shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 10.4 për qind dhe në vitin 2020 ra në 9 për qind.

Në Malin e Zi, ishte e kundërta; shkalla e papunësisë atje u rrit nga 15.1 për qind që ishte në 2019 në 17.9 për qind në 2020.

Në Shqipëri, ku shkalla e papunësisë ishte tashmë e ulët krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor në 2019, me 2.2 për qind, ajo u rrit pak në 3.0 për qind në 2020.

Bosnja e mbylli vitin 2019 me një normë papunësie prej 15.7 për qind dhe në vitin 2020 ajo u rrit v në 16.6 për qind.

Por sindikatat në shumicën e vendeve raportojnë një situatë më alarmante.

Për shembull, ndërsa statistikat zyrtare në Maqedoninë e Veriut thonë se deri më tani janë pushuar nga puna pak më shumë se 10,000 punëtorë, Konfederata e Sindikatave të Punëtorëve të Pavarur, KSS, vlerëson se deri në 60,000 punëtorë humbën vendet e tyre të punës gjatë krizës.

Në mënyrë të ngjashme, ndërsa të dhënat zyrtare nga Serbia sugjerojnë se vetëm 6,200 njerëz humbën punën në vitin 2020, sindikatat pretendojnë se dhjetëra mijëra njerëz u pushuan nga puna gjatë pandemisë.

Ekspertë si Brcereviç i Serbisë i thanë BIRN se nivelet e papunësisë u mbajtën të ulëta nga ndihma e fortë financiare e shtetit për kompanitë dhe qytetarët. Por ai thotë se paratë mund të ishin më të synuara dhe më selektive, në varësi të shkallës në të cilën u goditën industri të ndryshme.

“Problemi është se shteti u dha para … kompanive që përfituan nga pandemia dhe që nuk u duheshin”, tha ai për BIRN.

“E njëjta gjë ishte edhe më ndihmën e shtetit për qytetarët. Nuk ishte e justifikuar t’u jepeshin para të gjithë qytetarëve, por vetëm atyre që kishin nevojë për to. Ne morëm hua për këtë, por mund të kishim arritur të njëjtin efekt me më pak para, të cilat do të ishin shpërndarë më mirë”, shtoi ai.

Visar Vokrri, Drejtor Programi në Institutin Riinvest, në Kosovë, tha për BIRN se Kosova kishte të njëjtin problem.

Duke marrë parasysh që pandemia nuk preku të gjithë sektorët në të njëjtën masë, “një qasje selektive në hartimin dhe zbatimin” e masave për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike do të kishte qenë më e mirë, tha Vokrri.

Vështirësitë s’kanë kaluar ende

Një burrë i shtrirë në stol në një nga rrugët e Tiranes| Foto : LSA

Ndërsa shifrat e të infektuarve ulen ndjekshëm në të gjitha vendet dhe fushatat e vaksinimit vazhdojnë, parashikimet ekonomike për këtë vitin dhe vitin e ardhshëm, të bëra nga qeveritë rajonale dhe vëzhguesit ekonomikë ndërkombëtarë, sugjerojnë që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të reagojnë për mirë.

Parashikimet flasin për rritje të mundshme të PBB-së këtë vitin dhe vitin e ardhshëm nga 2 deri në rreth 5 për qind, në rastin e Serbisë.

Në vendet me industri të zhvilluar të turizmit, po kthehet gjithashtu optimizmi.

Gazetari ekonomik malazez Goran Kapor thotë se situata ekonomike në vendin e tij do të varet kryesisht nga sezoni turistik i kësaj vere.

“Qeveria pret që sezoni i parë turistik post-pandemik të ketë ndikim të gjerë në të gjithë ekonominë, duke mbushur buxhetin e shtetit”, tha ai për BIRN.

“Por një skenar i tillë është i mundur vetëm me një numër më të lartë turistësh të huaj, gjë që është e vështirë të pritet për momentin. Një skenar më i mundshëm për këtë vit është që nivelet e papunësisë do të rriten, pavarësisht nga fundi i krizës shëndetësore ose masat e ndërmarra nga qeveria për të ndihmuar kompanitë të mbajnë të punësuarit e tyre”, shtoi Kapor.

Vëzhguesit paralajmërojnë se edhe nëse pandemia nuk sheh më rritje, vendet në rajon nuk janë ende larg vështirësive dhe, si në pjesën tjetër të botës, mund të ketë më shumë pushime nga puna dhe inflacion.

Frika nga një rritje të papunësisë është e pranishme në të gjithë globin, thotë Vokrri, sepse “masat e marra për të mbështetur punësimin mund të përfundojnë me relaksimin e plotë” të masave parandaluese COVID-19.

Kjo do të thotë se në vendet ku kompanitë u stimuluan të mbanin të punësuarit e tyre gjatë pandemisë, ata së shpejti do të përballen me realitetin e tregut dhe nëse nuk gjejnë angazhim të mjaftueshëm, ata mund të pushojnë më shumë punëtorë.

Bexheti, nga Maqedonia e Veriut, gjithashtu paralajmëron për një rritje të mundshme të inflacionit. “Gjatë pandemisë, zinxhirët e furnizimit global u ndërprenë rëndë. Një mungesë shkaktoi një tjetër dhe kjo u përkthye në çmime më të larta transporti për mallrat dhe lëndët e para për kompanitë”, shpjegon ai.

Ndërsa subvencionet dhe format e tjera të ndihmës deri më tani kanë parandaluar që kjo të sjellë çmime më të larta në shitjen me pakicë dhe inflacion, Bexheti thotë se, “kur subvencionet të zhduken, duke pasur parasysh që zinxhirët e furnizimit janë mjaft të komplikuar dhe nuk mund të rikuperohen shpejt, inflacioni mund të fillojë duke lëvizur ngadalë më seriozisht”.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *