January 21, 2022
Shpërndaje lajmin

Qindra pushtetarë janë shkarkuar që kur një ligj i vitit 2015 në Shqipëri i ndalon kriminelët e dënuar të mbajnë poste publike. Por duket se kjo gjë nuk po funksionon, thonë ekspertët.

Kryeministri, Edi Rama duke folur gjate nje seance parlamentare. | Foto : LSA

Në qershor, prokurorët në Shqipëri i dorëzuan një dosje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila tregonte se një kryebashkiak i zgjedhur në 2019 nuk kishte deklaruar një dënim në Greqi në vitin 2000 për përleshje.

Dhe me këtë, Qerim Ismailaj u bë kryebashkiaku i katërt shqiptar në pesë vitet e fundit – të gjithë ata nga Partia Socialiste në pushtet – që kapet duke mos deklaruar të dhënat e tij penale para se të kandidojë për një post publik.

Sipas një ligji të vitit 2015, i krijuar për të ndaluar kriminelët e dënuar të mbajnë funksione publike, kandidatët zgjedhorë duhet të plotësojnë një formular dekriminalizimi ku deklarojnë nëse janë dënuar apo jo ndonjëherë për një krim. Paraqitja e një deklarate të rremë në vetvete është krim.

Në fillim të korrikut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kundër shkarkimit të Ismailajt nga posti i tij, duke pranuar argumentin e mbrojtjes se ai nuk kishte qenë dijeni për këtë gjë. Por sipas Institutit për Studime Politike me qendër në Tiranë, më shumë se 700 zyrtarë të lartë publik, përfshirë deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe personel tjetër i administratës, kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar për shkak të dënimeve të mëparshme penale që nga miratimi i ligjit.

Ky mund të duket si një rezultat i mirë, por ekspertët paralajmërojnë se kjo gjithashtu tregon një mungesë angazhimi dhe një mosgatishmëri të përhapur mes atyre që aspirojnë për poste publike për t’u treguar të sinqertë për të kaluarën e tyre.

“Unë mendoj se ka një mungesë vullneti personal sesa vullneti politik për të zbatuar ligjin”, tha Ardita Kolmarku, një avokate në Komitetin e Helsinkit në Tiranë.

“Nuk duhet të harrojmë se pika fillestare e verifikimit konsiston në formularët e vetëdeklarimit që plotësohen dhe nënshkruhen nga vetë kandidatët. Në këto kushte, mendoj se nëse subjekti nuk ofron të dhëna, kjo tregon mungesë vullneti nga ana e tij.”

“Si është e mundur?”

Kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili është subjekt i “ligjit të dekriminalizimit”. Foto: Bashkia Mallakaster Facebook.

Çështja e Ismailajt pasoi atë të Valdrin Pjetrit, i cili qëndroi vetëm një javë si kryetar i bashkisë së Shkodrës para se të jepte dorëheqjen në 2019 pasi Partia Demokratike publikoi dokumente gjyqësore që tregonin se ai ishte dënuar në Firence, Itali, në vitin 2003 për posedim droge.

Pjetri këmbënguli se ai ishte një “viktimë e rrethanave” dhe mori zemër nga një vendim i gjykatës sipas të cilit ai në fakt nuk e shkeli ligjin duke mos deklaruar një dënim në Itali.

Pas zgjedhjeve lokale të Shqipërisë në vitin 2019, doli që një kryebashkiak tjetër, Agim Kajmaku, në bashkinë e Vorës, nuk kishte deklaruar një dënim të mëparshëm në Greqi për falsifikim parash, ndërsa në vitin 2016, Elvis Roshi dha dorëheqjen si kryetar i bashkisë së Kavajës pasi u bë publik një dënim i mëparshëm në Itali. Një investigim i BIRN zbuloi se Roshi gjithashtu kishte një rekord penal në Zvicër për tregti droge.

Sipas një raporti të vitit 2020 nga Instituti për Studime Politike, pesë deputetë humbën postet e tyre dhe mbi 150 zyrtarë të lartë dhe të mesëm të qeverisë humbën vendet e tyre të punës si një “ndikim i drejtpërdrejtë” i ligjit. Në total, në periudhën 2015-2020, rreth 200 këshilltarë lokalë dhe rreth 500 zyrtarë të rangut të mesëm dhe të lartë publik kanë humbur pozicionet e tyre për shkak të dënimeve të mëparshme penale, përfshirë katër kryetarë bashkish dhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke folur statistikisht, ligji është i shëndoshë, tha raporti, por ai nuk ka arritur të nxisë një sistem që do të filtronte, parandalonte dhe penalizonte individë që kanë precedent penalë, por që kërkojnë funksione publike.

“Pyetja është se si është e mundur që sistemi parandalues ​​nuk po funksionon në parti dhe institucione politike”, tha drejtori Afrim Krasniqi.

“Kjo është për shkak se vetë partitë dhe institucionet janë burime korrupsioni, sistemi i zgjedhjes dhe promovimit është abuziv, jo-transparent dhe klientelist.”

Krasniqi argumentoi se prokuroria publike nuk vepronte shpejt dhe se ministria e drejtësisë duhej ende të përpilonte një regjistër të personave me dënime brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për më tepër: “Rekomandimi politik për emërimet është më i fuqishëm sesa një jetëshkrim profesional”, tha Krasniqi për BIRN. Partitë politike, tha ai, duhet të kishin “struktura të hapura, jetëshkrime publike të zyrtarëve të lartë, zgjedhje të brendshme dhe financim transparent”.

Kolmarku e Komitetit të Helsinkit tha se prokurorëve duhet t’u jepet më shumë kohë për të verifikuar kandidatët dhe kritikoi mungesën e bashkëpunimit midis institucioneve në Shqipëri dhe midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit.

“Unë mendoj se ka ardhur koha që ky ligj të ndryshohet”, tha Kolmarku.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *