Ekspertët ndërkombëtarë thonë se është e vështirë të shpallen fajtorë ish-krerët e UÇK-së

0
Shpërndaje lajmin

Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e supozuara, thonë për Radion Evropa e Lirë dy ekspertë të drejtësisë tranzicionale, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir.Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, thotë se atij i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes i të akuzuarve
“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si [Hashim] Thaçi, [Kadri] Veseli, [Rexhep] Selimi dhe [Jakup] Krasniqi. Dhe, këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, thotë Holvoet, duke shtuar se mund të ketë dallime mes katër të akuzuarve.
Gjatë deklaratave hyrëse, Prokuroria argumentoi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet”.
Ndërsa, avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Për Holvoet dhe Hehir – studiues i drejtësisë tranzicionale, intervenimit humanitar dhe shtetndërtimit në Kosovë nga Universiteti Westminster në Angli – ajo që bie më së shumti në sy është përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”
“Kushdo që është në dijeni për atë që ka ndodhur në Kosovë nuk do të habitet që ka pretendime se anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime. Por, kjo gjykatë duket se po e akuzon UÇK-në në tërësi për një lloj strategjie të madhe, që mendoj se është e paqëndrueshme”, thotë Hehir.
“Ideja që UÇK-ja të jetë një ndërmarrje kriminale… ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t’i alarmojë njerëzit [në Kosovë] dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me UÇK-në si heronj”, shton ai.
Gjatë deklaratave hyrëse, prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me vetë ata, e jo me gjithë UÇK-në, duke shtuar se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”.Ndërsa, në ditën e fundit të deklaratave hyrëse, më 5 prill, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha se deklaratat e tij të asaj kohe – të cilat u përdorën nga prokurorët si dëshmi – ishin vetëm propagandë për ta krijuar “përshtypjen se UÇK ishte strukturë e organizuar”
Megjithatë, Holvoet vë në dukje se në Tribunalin e Hagës ka pasur dënime edhe për përhapje të propagandës.Milan Gvero, ndihmëskomandant në ushtrinë serbe të Bosnjës, ishte dënuar në vitin 2010 me pesë vjet burgim për shpërndarje të informatave të rreme.
Sipas gjykimit të Tribunalit të Hagës, përmes informatave të rreme, ai kishte kontribuar në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që synonte të pastronte etnikisht zonën e Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas Hehir, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë nën hijen e protestave që u zhvilluan në Hagë dhe në Prishtinë para nisjes së këtij procesi. Kjo veçanërisht pasi që ai pret që procesi të jetë i ngadaltë.“Unë mendoj se do të jetë një proces i ngadaltë i zbulimit të informacionit për tre, katër, pesë, ndoshta edhe gjashtë vjet”, shton ai, duke u shprehur i zhgënjyer me kohëzgjatjen e këtij procesi.Por, Holvoet argumenton se edhe pse procesi duket se do të zgjasë shumë, ai duhet të jetë i tillë në mënyrë që edhe avokatët e të akuzuarve ta kenë mundësi të kundërargumentojnë.
“Është e pashmangshme. Bëhet, në njëfarë mënyrë, që të garantohet e drejta për gjykim të drejtë. Por, mendoj se problematike është që ata do të jenë në paraburgim përgjatë gjyqit pa pasur mundësi të lirohen përkohësisht”, përfundon Holvoet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *