Elina Duni premton koncert magjik në Vjenë

Shpërndaje lajmin

Nga koncerti në koncert, nga Nju-Jorku direkt për në Vjenë. Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Elina Duni, javën e ardhshme do të përformojë në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Sargfabrik” në Vjenë. Ajo do të paraqitet dy net në kuadër të një projekti “Ikja dhe migracioni”. Ky koncert organizohet nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri dhe Sargfabrik.
“Kam përformuar shumë herë në Vjenë, në klubin e njohur të jazz-it “Porgy & Bess”, ashtu si edhe në sallën e famshme të “Konzerthaus”.
Një koncert i ngjashëm i organizuar nga Këshilli Koordinues ishte planifikuar të mbahej me rastin e Festës Kombëtare, më datën 29 nëntor 2021, por fatkeqësisht për shkak të masave ndaj kovidit në Austri, koncerti u anulua vetëm pak ditë para se të mbahej”, thotë Elina Duni për albinfo.at.
Këngëtarja e muzikës Jazz do të përformojë më 3 dhe 4 maj 2022 në Vjenë. Në natën e parë ajo do të prezantojë projektin e saj sole “Partir”, ku do të këndojë në nëntë gjuhë të ndryshme. Po ashtu, Elina do të luajë me piano, kitarë dhe perkusion. “Tematika e ikjes trajtohet në kënde të ndryshme, si ikja nga atdheu, ikja nga një dashuri, ikja nga gjendja e fëmijërisë etj. Është një shfaqje mbi faktin që gjatë gjithë jetës përballemi me ikjen nga diçka dhe se si e rigjejmë përsëri veten, mbasi kemi kaluar nëpër krahët e vuajtjes që është shpesh një pasojë e çdo ikje”, ka thënë këngëtarja Duni.
 

Ndërkohë, më 4 maj, Elines në koncert do t’i bashkohen edhe kitaristi Rob Luft dhe pianisti e bateristi Fred Thomas, të dy muzikantë të shkëlqyer londinezë, me të cilët Elina ka punuar në albumin e saj të fundit “Lost Ships”. Në këtë natë pritet që përpos miqve austriakë dhe ndërkombëtarë, do të jetë edhe një numër i madh i bashkëkombësve tanë, shqiptarë.
“Për mua është gjithmonë e veçantë të këndoj përpara një publiku shqiptar. Emocioni është edhe më i fortë, sepse shpesh këngët që unë këndoj në shqip, të gërshetuara me jazz-in, janë të njohura dhe shumë të dashura për publikun shqipfolës”, shprehet Elina duke premtuar një natë magjike dhe të paharruar.
“Atë natë (v.j.më datën 4 maj) do të ketë veçanërisht shumë këngë në shqip dhe nga të gjitha trevat shqiptare”, shton ajo për albinfo.at.
Elina kërkon nga publiku që të shkojnë sa më shumë në koncerte. “Mbështesni muzikantët që ju prekin në shpirt dhe dëgjoni muzikë që ju jep çdo ditë dashuri dhe dhembshuri për botën dhe njëri-tjetrin”.
Kujtojmë se Elina Duni është lindur në Tiranë, derisa më pas është shpërngulur në Zvicër, ku ka mahnitur me zërin e saj. Ajo ka publikuar disa albume, ndërsa ka mbajtur koncerte anembanë botës.
Këngët e albumit të saj janë frymëzuar nga folklori shqiptar dhe mesdhetar, të cilat i ka përzier me mjeshtëri me baladat e përjetshme të xhazit, këngë franceze, melodi popullore amerikane…
Për rezervimin e ulëseve, ju lutem, shkruani në E-mailin e Këshillit:   
office@keshilli-koordinues.at

Leave a Reply

Your email address will not be published.