November 28, 2021

Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses pa të gjitha vendet e rajonit

Shpërndaje lajmin

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe përparimit në rajon”.

Nismës së hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, që synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Zoti Escobar që u lidh virtualisht në debat, tha se është me rëndësi që “të tri vednet që kanë hedhur nismën të jenë të hapura dhe të bisedojnë me tre partnerët tjerë që janë të rezervuar”.

Ai tha po ashtu se në nismat rajonale duhet barazi dhe të mos ketë diskriminim mbi baza etnike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të përmbushni standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha zoti Escobar./VOA


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *