Escobar: Plani franko-gjerman së shpejti para publikut

Shpërndaje lajmin

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se detajet e propozimit franko-gjerman do të diskutohen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të drejtuar nga Bashkimi Evropian.
Escobar, në një intervistë për RTK, ka thënë se pas qeverive plani franko-gjerman do të ndahet edhe me publikun.
“Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian, në një kohë kur po përballemi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe me krizat e goditjeve që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën. Detajet e propozimit po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja. Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut”, tha Escobar.
Mes tjerash, emisari thotë se Amerika është e angazhuar ngushtë me BE-në dhe me të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në mbështetje të plotë të procesit të dialogut.
“Unë kam një partneritet të plotë me homologët e mi të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes vendeve të Quint-it. Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi”.
“Ky angazhim është politikisht, financiarisht, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe çdo mekanizmi tjetër që kemi për të siguruar rezultatin përfundimtar, që krijon stabilitet afatgjatë për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale”, u shpreh Escobar.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *