“Është për të vënë duart kokës e të ulërasësh”, shpërthen Ralf Gjoni dhe ua numëron ‘një për një’ në mes të Kuvendit: Po a ka turp më të madh?

Share

Deputeti Ralf Gjoni me tone të revoltuara u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se integrimi i Shqipërisë në BE ka ngecur në një rrjetë me katër fije.

Duke iu drejtuar ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, Gjoni tha se gjatë mandatit të saj kushtet për Shqipërinë do të shtohen nga 15 në 150.

“Integrimin tanë këta bajraktarët e kanë kthyer në një ëndërr imagjinare. Në fillim ishte një ëndërr e përbashkët, u trajtua si aspirat për 30 vite, dhe sot kush ka dy pare tru e di shumë mirë se integrimi është një përrallë, një fabul imagjinare, që vetëm njerëzit me aftësi të kufizuara apo fëmijët mund ta besojnë.

Ky Këshilli i Integrimit mua më duket si ai filmi “Taulanti kërkon një motër”. E mban mend Myslim se si u krijua ky këshilli. Po si mund të talleni kështu? O cfarë gallate! O Zot i madh! Këshilli Kombëtar i Integrimit, që është kot. Mua më duket si ai këshilli i 5 qershorit. Hajde gallatë hajde. Kjo është të vësh duart në kokë dhe të ulërasësh. Mua më dhemb, kur shoh se si klasa politike tallet me aspiratën e popullit shqiptar. Integrimi është një fabul e ngecur në një rrjetë, e thurur me katër fije. Fija e parë është refuzimi i BE për të zgjeruar bashkimin, për ta zgjeruar kudo, sidomos drejt Ballkanit Perëndimor. Ne duhet t’i themi shqiptarëve të vërtetën, BE nuk ka oreks për zgjerim, ndaj dhe kjo fabul do të zgjatet për vite me radhë. Nga 5 shkoi në 15 kushte, të siguroj Oltë e dashur se gjatë mandatit tënd do shkojë në 150 kushte. Fija e dytë janë grupet kriminale, që influencojnë politikën dhe që do të ushtrojnë influencë edhe në zgjedhjet e 25 prillit.

Shqipëria do të mbizotërohet nga vrasje. Fija e tretë kompleksi i inferioritetit të shqiptarëve. O shqiptarë, pse jeni kaq inferior, pse dridheni? Është turp që ne lëpihemi në këtë far feje, çdo gjë që del nga diplomatët e huaj, ne e besojmë. Turp për ne që s’kemi pikë dinjiteti. Fija e katërt është diletantizmi diplomatik. Kulmi i talljes me shqiptarët është ambasadori i Britanisë së Madhe, shoku i Lulit dhe i Monës, që del lart e poshtë dhe flet për integrimin. Po a ka turp më të madh? Ju garantoj se Berlini dhe Parisi vënë duart në kokë, teksa shohin se ambasadori britanik flet për integrimin. Ta gëzoni shqiptarë integrimin evropian, që është thjesht një përrallë e bukur”, – tha Gjoni.


Share

Komente