Euro 2020, pabarazi e madhe mes skuadrave, mësoni ekipet e penalizuara nga kilometrat

Shpërndaje lajmin

Euro 2020 ishte i pari Kampionat Europian shëtitës në histori i zhvilluar në disa qytete dhe duke gjykuar nga deklaratat e Aleksander Ceferin, sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe i fundit.

Përveç problemeve logjistike dhe organizative, të përforcuara padyshim nga pandemia, disa dyshime kanë lindur në lidhje me kilometrat e ndryshëm të bëra nga ekipet: disa prej tyre ishin shumë të disavantazhuar, ndërsa të tjerët ishin tepër të favorizuar dhe e konfirmojnë rezultatet.

Siç tregon KPMG Football Benchmark, faktori i zhvendosjes ishte sigurisht i rëndësishëm: që të katër gjysmëfinalistët e Euro 2020, konkretisht, Italia, Spanja, Danimarka dhe Anglia, luajtën të gjitha ndeshjet e grupit të tyre në shtëpi. Holanda dhe Gjermania ishin gjithashtu mes ekipeve që luajtën fazën e parë të turneut pa udhëtuar, por të dyja u eliminuan në raundin e 1/8.

Pra jo rastësisht, 4 ekipet gjysmëfinaliste ishin mes ekipeve qe nuk udhëtuan aspak ose shumë pak dhe rasti më flagrant është Anglia që ishte gjatë gjithë kohës “pushim”.

Tre Luanët luajtën vetëm një ndeshje jashtë, çerekfinalen në Romë kundër Ukrainës, ndërsa gjashtë ndeshjet e mbetura u luajtën para tifozëve të tyre në Wembley.

Krahasimi me Zvicrën, ekipi që ka udhëtuar më shumë, është mbresëlënës pasi helvetët kanë udhëtuar tre herë më shumë se anglezët pavarësisht se kanë luajtur dy ndeshje më pak.

Ekipi i Petkoviç përshkoi gati 10,000 km në total, duke luajtur ndeshjen e parë të grupit në Baku, të dytën në Romë dhe të tretën përsëri në Baku.

Ndeshja në raundin e 1/8 kundër Francës u zhvillua në Bukuresht, ndërsa eliminimi kundër Spanjës në Shën Petersburg, një sorollatje e jashtëzakonshme për Xhakën me shokë.

Një fakt tjetër që nxjerr në pah disproporcionin e qartë të organizimit të Euro 2020 është fakti që Anglia ka udhëtuar më pak se Polonia, Sllovakia, Turqia, të tre skuadrat e eliminuara pas vetëm tre ndeshjeve, dhe madje edhe më pak se Austria dhe Uells, të eleminuara në 1/8.

Pra duket qartë që ekipi anglez ishte shumë i favorizuar me këtë format të Euro 2020 dhe më e rëndësishmja është që te paktën për shumë vite, UEFA nuk ka ndërmend të përsërisë një Kampionat të tillë Europian në qytete të ndryshme.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *