September 25, 2021

Europol godet grupin e trafikut të emigrantëve shqiptarë drejt SHBA dhe Britanisë

Shpërndaje lajmin

Një hetim i koordinuar nga Europol në Spanjë e 8 shtete të tjera u mbyll me arrestimin e 18 personave dhe sekuestrimin e 1 mijë dokumenteve false. Operacioni goditi një rrjet të trafikut të emigrantëve nga Shqipëria e Kosova drejt SHBA e Britanisë së Madhe.

Dokumente false udhëtimi të bllokuara nga policia. Foto kortezi Europol.

18 persona u arrestuan të hënën sipas një njoftimi të Europol, pas një aksioni të Policisë Kombëtare e Spanjës, me pjesëmarrje edhe të oficerëve të policisë shqiptare. Të arrestuarit akuzohen si pjesë e një rrjeti që kishte mundësuar hyrjen për në SHBA dhe Britani të 400 shqiptarëve me dokumente të falsifikuara.

“Një hetim i drejtuar nga Policia Kombëtare e Spanjës, me bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shqipërisë dhe forca të zbatimit të ligjit në Austri, Francë, Itali, Slloveni, Kosovë, Portugali dhe Mbretërinë e Bashkuar e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i mbështetur nga Europol, çoi në shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të përfshirë në trafik emigrantësh dhe falsifikim dokumentesh”, thuhet në njoftimin e Europol. Europol thotë se oficerët shqiptarë morën pjesë në aksionin  që u zhvillua në Spanjë.

Sipas njoftimit hetimet ndaj grupit, kombësia e pjesëtarëve të cilit nuk përmendet kishin filluar në vitin 2019 dhe në total ishin bërë 46 arrestime, ishin sekuestruar 1 mijë dokumente false dhe ishin ndaluar në aeroporte 400 shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria në përpjekje për të hyrë në Britani apo SHBA.

Europol thotë se grupi përdorte një tip specifik të dokumenteve false që ra në sy të policive pas ndalimit nga forcat e ligjit në SHBA të një grupi kriminal në ishullin Saint Maarten në Karaibe. Në vijim një numër korrierësh që transportonin dokumentet false për në Kosovë dhe Shqipëri u arrestuan në dhjetor 2020. Në mars të këtij viti në Kosovë, sipas Europolit, u bllokuan 4 dyqane që printonin dokumentet e falsifikuara.

Sipas Policisë Europiane hetimet u zhvendosën në Spanjë kur u mësua se prej aty dhe nga Portugalia, i dyshuari kryesorë dhe bashkëpunëtorët e tij lehtësonin hyrjen ilegale të emigrantëve me dokumente flasë në aeroporte.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *