Evropa, e shokuar me dhunën në Kongresin Amerikan

Share

kapitol parlamenti shba dhuna 1

Policia ka neutralizuar mbështetësit e presidentit Donald Trump në Kongresin Amerikan, pasi ata thyen një nga ndërtesat më ikonë të SHBA-së, duke përfshirë kryeqytetin e vendit në kaos, pasi republikani u kërkoi mbështetësve të luftonin kundër numërimit ceremonial të votave elektorale që konfirmuan fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, përcjell albinfo.ch.

Hyrja e dhunshme në Kapitol në Uashington nga mbështetësit e Trumpit ka shqetësuar thellë dhe ka tmerruar politikanët në Evropë. Reagimet nga Berlini, Londra dhe Roma janë shumë të qarta.

Reagimet e politikanëve evropianë ndaj skenave të hyrjes së dhunshme në Kapitol janë shumë të qarta – të gjithë i kanë denuar skenat tronditëse dhe flasin për një cenim shumë serioz të demokracisë amerikane. Shpresat se vitet turbulente dhe të diskutueshme të presidencës së Trumpit do të marrin fund me mjete paqësore u shuan vetëm dy javë para ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Fundi i përmbajtjeve

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, reagoi shumë shpejt në Twitter dhe çuditërisht ashpër: “Skena tronditëse në Washington D.C. Rezultati i këtyre zgjedhjeve demokratike duhet të respektohet”. Për Stoltenbergun, që konsiderohet si një prej diplomatëve më të përmbajtur, kjo ishte një deklaratë jashtëzakonisht e qartë ndaj partnerit më të madh në NATO. Gjatë katër vjetëve të presidencës Trump, ai u përball disa herë me kërcënime se SHBA-ja do të mund të largohej nga aleanca veriatlantike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ishte gjithmonë i detyruar të qetësonte gjërat, e tani duket se edhe ai ka mbërritur në fund të përmbajtjes diplomatike, shkruan DW.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, konsiderohej një kohë të gjatë si një lloj studenti dhe aleati i ngushtë i Donald Trumpit. Ai kërkonte mbështetjen e Trumpit në procesin e Brexitit dhe shpresonte arritjen e një marrëveshje të veçantë tregtare me SHBA-në. Johnson kërkonte në mënyrë demonstrative një lloj afërsie me Trumpin. Ai e quajti Johnsonin si “Trumpi britanik” pas fitores së tij në zgjedhje. Por miqësia e veçantë midis dy politikanëve duket se po mbaron. Johnson i dënoi “… skenat e neveritshme në Kongresin e SHBA-së. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për demokracinë në gjithë botën. Tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit”.

Për kryeministrin irlandez Micheál Martin, ngjarjet në Uashington janë një lloj shkëputjeje historike me lidhjet e thella të qytetarëve irlandezë me Shtetet e Bashkuara. “Unë e di që shumë, si unë, po shikojnë skenat në Uashington me shqetësim të thellë.” Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney tha se përgjegjës për këtë gjendje është Donald Trump. “Ishte një sulm i qëllimshëm ndaj demokracisë nga një president në detyrë dhe mbështetësit e tij që duan të përmbysin zgjedhjet e lira dhe të drejta”.

Kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon ishte po ashtu shumë e qartë: “Skenat në Kapitol janë absolutisht të tmerrshme”. Ajo deklaron solidaritetin e saj me forcat demokratike në SHBA dhe shton: “Turp për ata që nxitën këtë sulm ndaj demokracisë”.

Shqetësimet e thella

Zhvillimet në Kongres kanë shqetësuar thellë politikanët edhe në pjesët e tjera të Evropës. “Unë besoj në forcën e demokracisë amerikane. Presidenti i ri Joe Biden do të kapërcejë këtë periudhë tensioni dhe do të bashkojë njerëzit”, shpreson kryeministri socialdemokrat i Spanjës Pedro Sánchez.

Homologu i tij në Suedi fajëson shumë qartë presidentin Trump për gjendjen. “Presidenti Trump dhe shumë anëtarë të Kongresit mbajnë përgjegjësi të konsiderueshme për atë që ndodhi”. Edhe nga Finlanda vjen një paralajmërim: “Kjo tregon se sa e rëndësishme është të mbrohet demokracia me vendosmëri dhe forcë”, shkruan kryeministrja Sanna Marin.

Ngjarjet në Kapitol kanë dënuar ashpër madje edhe politikanët e spektrit populist në Evropë. “Dhuna nuk është një zgjidhje”, shkruan shefi i Lega në Itali, Matteo Salvini. Kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili vetë drejtoi një koalicion qeveritar me populistët e djathtë, deklaroi: “Të tronditur nga skenat në Uashington. Ky është një sulm i papranueshëm ndaj demokracisë”.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas i krahasoi këto ngjarje me disa të tjera në historinë gjermane: “Retorika nxitëse mund të shndërrohet në veprime të dhunshme – si në shkallët e Reichstagut ashtu edhe tani në Kapitol. Mosrespektimi i institucioneve ka efekte shkatërruese.” Kancelarja Angela Merkel është shprehur skeptike ndaj Donald Trumpit prej fillimit – në takimet e saja të pakta dhe të vështira me presidentin. Verën e kaluar ajo refuzoi të shkonte në Florida, në një takim të G7. Pandemia e Coronës shërbeu si shpjegim, por anulimi i shkurajes së saj në SHBA u kuptua si një refuzim i Trumpit dhe politikës së tij.

Evropa i ka shpresat tek Biden

Charles Michel, Presidenti i Këshillit të Evropës i përmblodhi zhvillimet kështu: “Kongresi amerikan është një tempull i demokracisë. Të shohësh skena të këtilla në Uashington është një tronditje”. Disa krerë të qeverive evropiane, si presidenti francez Emmanel Macron, u përpoqën më shumë se të tjerët të krijojnë marrëdhënie të mira pune me Donald Trumpin. Por Macroni ka dështuar në këtë projekt. Vetëm disa qeveri të Evropës Lindore me orientim të djathtë populist kishin marrëdhënie të veçantë me presidentin e SHBA-së. Trump mbështeti Poloninë dhe Hungarinë më shumë se të tjerët dhe të dy vendet ishin të dëshpëruara me humbjen e Trunpit në zgjedhje.

Në pjesët tjera të Evropës është mbështetur fitorja e demokratit Joe Biden. Kjo fitore lidhet me shpresën për të përmbysur vendimet e diskutueshme të Donald Trumpit, si tërheqja nga marrëveshja e mbrojtjes së klimës apo politika e tij ndaj Iranit. Pas fitores së Trumpit në nëntor, presidenti francez Macron u angazhua  për “më shumë autonomi strategjike” për Evropën. Ai tha se e domosdoshme është një “Evropë e fortë”. Mbetet të shihet se cili do të jetë vizioni i Evropës pas kaosit të tanishëm në Uashington.

Shumë njerëz mendojnë se zhvillimet e fundit kanë hedhur një hije të rëndë mbi demokracinë amerikane. Është shumë e qartë se institucionet demokratike mund të ndikohen nga teoritë e konspiracionit dhe nga demagogjia. E cila do të jetë infuenca e këtyre zhvillimeve në Evropë, do të shihet në muajt e ardhshëm.


Share

Komente