Festivali i Porto Palermos, Olen Çezari mbledh artistë shqiptarë dhe të huaj
Artisti virtuoz Olen Çezari do të kthehet sërish në kalanë e Porto Palermos. Ndryshe nga edicioni i kaluar këtë herë për të performuar në vendin historik do të jenë më shumë artistë.
Vetë Olen Çezari e quan këtë festival një miks mesdhetar për nga artistët e përzgjedhur.
“Do të kemi të ftuar artistë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Spanja, Greqia, pra është një miks mediteran. Vjet ishte një miks ndërmjet artistëve shqiptarë dhe italianë,” – u shpreh Çezari.
Ashtu si vitin e kaluar Çezari edhe në këtë festival ndërthur muzikën me historinë, sepse kalaja e Ali Pashës do të presë artistët dhe audiencën në fundjavat verore duke i dhënë te tjera ngjyra.
“Çdo vit e më tutje të shtohet. Për momentin është të shtunë dhe të diel, ju presim në orën 9, për mua, në kalanë më të bukur që ka Shqipëria, që është kalaja e Ali Pashait në Porto Palermo,” – u shpreh artisti.
Nga 15 korriku deri në 15 gusht në Porto Palermo do të ngjiten Dren Abazi, Ajs Quartet, Enrico Giaretta, e shumë artistë të tjerë që do të sjellin shije muzikore të ndryshme.