October 25, 2021

Fillon të rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Evropë

Shpërndaje lajmin

Sot, në një prononcim për media, zyrtarët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thanë se pas dy muajsh rënie në Evropë sërish ka filluar të rritet numri i rasteve me COVID-19. OBSH paralajmëroi se mund të ketë një valë të re “nëse nuk qëndrojmë të disiplinuar”.

“Javën e kaluar numri i rasteve u rrit për 10 për qind”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, rritja e rasteve mbase është pasojë e udhëtimeve, tubimeve dhe lehtësimit të kufizimeve.

Kluge paralajmëroi që përkeqësimi i situatës epidemiologjike ndërlidhet me rritjen e rasteve me variantin Delta të koronavirusit.

Ky variant është më ngjitës dhe për herë të parë është shfaqur në Indi.

Agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve (ECDC) vlerëson se deri në fund të gushtit varianti Delta mund të përbëjë 90 për qind të rasteve të reja në Bashkimin Evropian.

Kluge gjithashtu tha se ky variant mund të bëhet dominues në rajonin evropian të OBSH-së, i cili përbëhet nga 53 vende dhe territore – përfshirë disa në Azinë Qendrore.

Vaksinat kundër koronavirusit janë treguar efektive ndaj variantit Delta, por një nivel i lartë i mbrojtjes kërkon marrjen e dy dozave.

Zyrtari i OBSH-së tha se shpërndarja e vaksinave ende nuk është në nivele të duhura.

Vaksinimi i popullatës në rajonin evropian të OBSH-së, sipas tij, ishte 24 për qind. Gjysma e të moshuarve dhe 40 për qind e punonjësve të kujdesit shëndetësor ende nuk janë imunizuar.

“Kjo është e papranueshme dhe është larg rekomandimit për imunizimin e 80 për qind të popullsisë së rritur”, tha Kluge.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *