Fitoi luftën me kancerin e kockave, 29 vjeçarja gati për udhëtimin në hapësirë në fund të vitit

Share

Hayley Arceneaux, 29 vjeçarja e cila i mbijetoi kancerit të kockave, shumë shpejt do t’i bashkohet hapësirës , duke u bërë amerikania më e re në hapësirë.

Në janar, ajo u zgjodh për t’u bashkuar me ekuipazhin e misionit të parë hapësinor të civilëve në botë.

“Unë e kam mbajtur sekretin më të madh të jetës sime për një muaj e gjysmë. Kështu që tani duhet ta ndaj me botën,” tha ajo për BBC.

Përzgjedhja e saj për misionin historik u njoftua të hënën, më 21 shkurt nga Spitali Kërkimor i Fëmijëve St Jude në Memfis, Tenesi.

Ajo do të niset nga Florida me një raketë Falcon 9 të bërë nga Space X, kompania e themeluar nga Elon Musk.

“Unë mendoj se ky mision do të frymëzojë njerëzit në shumë mënyra,” tha Arceneaux.

“Kjo do t’i tregojë atyre se gjithçka është e mundur.”

Në anije nuk do të ketë astronautë profesionistë.

Me Arceneaux do të bashkohen dy fitues të konkursit dhe komandanti i fluturimit Jared Isaacman, një miliarder 38 vjeçar, i cili po paguan për të gjithë misionin.

Misioni është projekt i Isaacman, i cili njoftoi më 1 shkurt se kishte blerë lëshimin e raketës.

Z. Isaacman po synon të përdorë fluturimin për të mbledhur 200 milion dollarë për St Jude.

Nga katër vendet në dispozicion, njëra iu ofrua Arceneaux.

“Që nga fillimi, ne donim një anëtar të ekuipazhit që përfaqësonte frymën e shpresës së misionit,” tha Z. Isaacman. “Unë nuk mund të mendoj për një person më të mirë se Hayley për të përmbushur atë përgjegjësi.”

Për Arceneaux fluturimi do të jetë realizimi i një ëndrre që ajo mendoi se nuk do ta realizonte kurrë.

Në moshën 10 vjeçare,  Arceneaux ishte një paciente me kancer të kockave në St Jude.

Si pjesë e trajtimit të saj në spital, zonja Arceneaux bëri kimioterapi dhe operacion për të zëvendësuar disa nga kockat e këmbës me ato artificiale.

“Ky mision është hapja e udhëtimit në hapësirë ​​për njerëzit që nuk janë të përsosur fizikisht,” tha ajo.

Arceneaux ndodhej në shtëpi kur mori telefonatën më 5 janar, duke e pyetur nëse do të bashkohej në mision.

“Menjëherë, unë thashë: “po, po të lutem”.

Arceneaux tashmë ka provuar kostumin e saj hapësinor.

“Ishte “kaq e lezetshme” por më e rëndë nga sa prisja,” tha ajo.

Raketa do të niset në fund të vitit 2021. Në fund të misionit, Falcon 9 do të rikthehet sërish në Tokë.


Share

Komente