Fjalët e pakujdesshme por të sinqerta të Joe Biden, po fillojnë ta shembin murin e Putinit

Shpërndaje lajmin

Nga Christian Rocca “Linkiesta”
Joe Biden ka qenë gjithmonë një politikan i gafave në seri, aq sa ai luante shpesh me këtë të metë të tij për të folur jashtë skemave që imponon të qenit politikisht korrekt. Dhe kjo deri në pikën që e bënte Biden jo vetëm një markë tregtare, por edhe një mënyrë për të transmetuar mesazhe, që përndryshe nuk do të mund të ishin përcjellë.
Deklarata e bujshme e presidentit amerikan se Putini “nuk mund të qëndrojë më në pushtet”, e bërë gjatë vizitës së tij në Poloni në fundin e një fjalimi të hartuar me shumë kujdes, me siguri që i shpëtoi, dhe nuk është kodifikimi i një doktrine të re në favor të ndryshimit të regjimit në Moskë.
Por njëkohësisht ajo është pasojë e drejtpërdrejtë dhe e vërtetë e fjalëve të thëna deri në atë moment jo vetëm nga presidenti amerikan, por nga të gjithë liderët perëndimorë dhe opinioni i tyre publik, përballë mizorive të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë.
Që ajo deklaratë ishte një gafë, kjo nuk mund të thuhet me saktësi, edhe pse të paktën kështu u përpoqën ta kalonin njerëzit e Joe Biden. Shtëpia e Bardhë nxitoi që ta vendoste në kontekst atë shprehje, ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken saktësoi se “i takon popullit rus” të vendosë se kush qeveris në Moskë.
Edhe pse nga ana tjetër, ai renditi të gjitha krimet e luftës nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Shtetit, përcaktuar si më poshtë: “Krimet e luftës”, që i atribuohen Vladmir Putinit, duke shënuar kështu një pikë pa kthim në marrëdhëniet e ardhshme midis udhëheqjes ruse dhe pjesës tjetër të botës.
Shqetësimi i përgjithshëm që shkaktoi deklarata e Joe Biden bazohet në dy pasoja të mundshme negative. E para është se ai mund të shndërrohet në një argument propagandistik për klanin e Kremlinit që është i aftë të mobilizojë masat ruse. E dyta është se ajo nuk i lë asnjë rrugëdalje Putinit nga telashet ku e ka futur veten, dhe me të cilin Perëndimi po përpiqet të negociojnë një marrëveshje për paqe.
Pra me pak fjalë, kritikët e presidenti amerikan Biden argumentojnë se rreziku i zgjerimit të konfliktit në Ukrainë është rritur dhe janë zvogëluar shanset për një negocim. Natyrisht ka edhe nga ata që me disa arsye, argumentojnë se ajo fjali është në të vërtetë e parëndësishme, sepse Putini është angazhuar për vite përmes lajmeve të tij të rreme në shpëlarjen e trurit të opinionit publik, dhe jo vetëm atij rus, për një sulm të afërt të NATO-s ndaj Rusisë.
Dhe sigurisht që ai nuk ka nevojë për një deklaratë të fortë të Biden për të ushqyer propagandën e tij. Imazhet e qyteteve të Ukrainës të rrafshuara me tokën, dhe qëndrimet zyrtare të të gjitha organizatave shumëpalëshe e kanë vënë tashmë Putinin me shpatulla pas murit, ndaj fati i Putinit duket i vulosur edhe pa denoncimin e Biden.
Po ashtu, është e mundur që një kërcënim i drejtpërdrejtë si ai i lëshuar rastësisht nga Biden mund të ketë qëlluar në shenjë, duke qenë se i drejtohej një despoti që deri një muaj më parë ishte i bindur se ukrainasit do ta mirëprisnin me trëndafila dhe lule, dhe se perëndimorët nuk do të kishin reaguar kurrë me vrullin që kanë treguar këtë muaj.
Por duke e bërë Putinin të kuptojë se në thelb bota e lirë nuk është aq e dobët sa besonte ai, se ajo ka aq guxim sa të bëjë hapur thirrje për largimin e tij nga pushteti, ndoshta mund ta bindë presidentin rus të ri-kalibrojë sulmin e tij ndaj Ukriainës.
Pastaj ekziston një teori tjetër, sipas së cilës deklarata “Pash Zotin, ai njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet!”, është një gafë që të kujton atë të një presidenti tjetër amerikan, të bërë më 12 qershor 1987 gjatë një fjalimi të mbajtur në Berlinin Perëndimor, para Portës së Brandenburgut.
Në atë rast, ndërsa 50 mijë gjermano-perëndimorë protestuan kundër pranisë provokuese të presidentit amerikan, Ronald Reagan shtoi një fjali në fjalimin e tij, të cilën stafi i tij dhe Departamenti i Shtetit nuk do të donin që ai ta thoshte.
Pati një diskutim të madh të brendshëm nëse do të thuhej apo jo kjo fjali, por në fund deklarata e famshme “Zoti Gorbaçov, rrëzojeni këtë mur!”, u bë simbol i fitores së botës së lirë dhe i fillimit të rrënimit të regjimit totalitar sovjetik.
Sot është e pamundur të imagjinohet nëse thirrja e Joe Biden për ta dëbuar Vladimir Putinin nga Kremlini do të përkeqësojë spastrimin etnik të rusëve në Ukrainë, apo nëse përkundrazi do të mbahet mend si fillimi i fundit të mafias putiniane.
Megjithatë, është e qartë se ka nga ata që ndihen më të sigurt nën ombrellën e një presidenti amerikan që i shket goja dhe tregon të vërtetën e pakundërshtueshme mbi një diktator kriminel, sesa nën paraardhësin e tij që e admironte dhe ende e admiron Putinin, dhe që i detyrohet atij për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, dhe kushedi se çfarë tjetër.
Së fundmi, ky është momenti në të cilin duhet kujtuar se strategu i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Paul Manafort, u dënua (dhe më vonë u fal nga Trump) për fshehjen e disa miliona dollarëve të marra nga Viktor Janukovic, kukulla e presidentit rus, i vendosur nga Putini në krye të Ukrainës, vend ku Manafort kishte udhëhequr tre fushata të ndryshme elektorale derisa me votën unanime të Parlamentit të Kievit, Janukovic u dëbua në Rusi./

Leave a Reply

Your email address will not be published.