Fshehja e numrit të vdekjeve/ PD: Prokuroria dhe SPAK mos rrinë duarkryq

Share

Ish deputeti i PD, Bardh Spahia thotë se që nga dita e enjte, kur kryetari i Partisë Demokratike denoncoi në emisionin “Opinion” shifrat e vërteta të vdekjeve nga COVID, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e saj.

Sipas Spahisë, numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik Basha është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme.

“Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet. Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën. I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin. Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit” u shpreh Spahia në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë.

“Partia Demokratike cmon lart punën dhe sakrificat që po bëjnë mjekët dhe infermierët gjatë kësaj pandemie të tmerrshme, dhe dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin e tij”, përfundoi Spahia.


Share

Komente