October 10, 2021

Fundi i muajit do t’ju trazojë jetën, çfarë kanë parashikuar yjet për datat 26 prill -3 maj

Shpërndaje lajmin

Dashi: Jeni në një gjendje pezuli, as në qiell, as në tokë. Keni nevojë për një periudhë pauze, që të reflektoni dhe të shkëputeni nga problemet që po ju konsumojnë fuqitë. Yjet parashikojnë që fundi i prillit dhe fillimi i majit do të shënojnë ndryshime në jetën tuaj. Kjo do të reflektohet më së shumti në aspektin profesional dhe në financat tuaja. Në aspektin sentimental gjendja parashikohet e qetë.

Demi: Një javë risish ju pret. Ndoshta do të shpërnguleni diku tjetër apo do të merrni një vendim për diçka. Ata që ndodhen në udhëkryq tani duhet ta ndajnë mendjen mirë. Sido që të vijë puna, është më mirë t’i hysh një rruge të panjohur, sesa të rrish në vend numëro. Ky nuk është momenti i përshtatshëm për t’u ekspozuar së tepërmi. Ruhuni dhe nga luhatjet e temperaturave. Në dashuri do të keni stabilitet, por ndonjëherë situata do të bëhet e mërzitshme.

Binjakët: Duket se më në fund gjërat do të shkojnë në vendin e vet. Keni përjetuar një periudhë mjaft të lodhshme. Ndonjëherë siguria juaj është lëkundur, ndokush edhe është distancuar prej jush. Janë krijuar keqkuptime për të cilat ende po vuani pasojat. Yjet favorizojnë beqarët, por duhet të përfshiheni më shumë në jetën sociale. Edhe pse janë kohë të vështira, mund t’i bëni gjithsesi gjërat që dëshironi, por gjithmonë duke treguar kujdes.

Gaforrja: Ky mund të jetë momenti i përshtatshëm për të realizuar ëndrrat që keni në sirtar. Vullneti nuk ju mungon, por hera-herës, dembelizmi ju vë përfund. Ju ndodh që të stërmundoheni për diçka dhe pastaj lodheni shpejt. Angazhohuni më shpesh me punë, sepse duhen para për të përballuar shpenzimet. Beqarët do të kenë fat në dashuri, por edhe ju duhet të bëni përpjekje nga ana juaj, sepse fatin duhet ta kërkoni.

Luani: Në ditët e fundit të prillit do të ndiheni paksa konfuzë. Aty nga fillimi i javës do të merreni me zgjidhjen e disa çështjeve, por në fundjavë do të merrni sërish frymë të lehtësuar. Tani është momenti që t’u riktheheni projekteve të mëparshme pas një periudhe shkëputjeje. Ditëve të vështira po u vjen fundi, prandaj bëni dhe pak durim. Yjet ju këshillojnë që të ktheni faqe dhe dhembjen ta lini në të shkuarën.

Virgjëresha: Kjo do të jetë një javë e ngarkuar me punë dhe studime. Mbase keni për të shlyer disa pagesa brenda muajit korrik dhe kjo gjë ju shkakton stres. Kujdesuni më shumë për veten dhe rikthejuni gjërave me të cilat merreshit më parë. Planetët do t’ju favorizojnë dhe do t’ju kthehet qetësia e humbur. Kujdes në aspektin profesional, pasi mund të keni probleme me eprorët apo me ndonjë klient.

Peshorja: Me siguri që gjatë këtyre ditëve do të ndiheni të lodhur. Mbase ju ka ardhur në majë të hundës mënyra juaj e jetesës ose ndoshta në dashuri apo familje diçka nuk po shkon ashtu si duhet. Kohët do të ndryshojnë dhe asgjë nuk do të kthehet më si më parë. Mos u kapni pas së shkuarës, por azhurnohuni me të rejat e fundit dhe bëni projekte të tjera. Nëse do të dini ta shfrytëzoni, kjo javë mund të rezultojë e frytshme. Pritet që të merrni një lajm të rëndësishëm.

Akrepi: Ata që kanë mbjellë, tani do të vjelin frytet e punës së tyre. Do të jeni të angazhuar me problemet e shtëpisë, edhe puna mund të rezultojë pak më e vështirë se zakonisht. Megjithatë do të arrini ta kapërceni çdo pengesë. Edhe shpenzimet do të shtohen, prandaj bëni kujdes, sepse në fund mund të mos ju dalë llogaria. Kujdes me mënyrën si shpreheni, sepse mund të shkaktoni krisje në marrëdhëniet tuaja.

Shigjetari: Keni hasur vështirësi të shumta gjatë kësaj periudhe në jetën tuaj. Megjithatë shumë shpejt do t’ju rikthehet qetësia. Hera-herës ndiheni të lodhur, aq sa ju duket sikur nuk mundeni më. Ndryshimi i vërtetë vjen atëherë kur nuk mungojnë përpjekjet. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Në vend që të prisni që gjërat të rregullohen vetë, përvishni mëngët dhe futjuni punës. Shfryjeni dufin, në mënyrë që më pas të jeni të gatshëm t’ia filloni nga e para.

Bricjapi: Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që ndjeni mosbesim apo mllef ndaj dikujt. Yjet premtojnë se para ardhjes së verës gjithçka do të jetë zgjidhur. Në fillim të vitit kishit shpresa të tjera, por pastaj gjërat ndryshuan dhe juve ju duk sikur ju shemb toka nën këmbë. Yjet ju këshillojnë që të vini rregull në jetën tuaj. Fillimi i javës është periudha më e përshtatshme për të filluar një dietë apo që të merreni me ushtrime fizike.

Ujori: Është në natyrën tuaj që të shpresoni dhe të prisni gjatë që gjërat të ndryshojnë. Por shpeshherë pikërisht kjo gjë bëhet shkas që të ndiheni të shkurajuar dhe të zhgënjyer. Në ditët në vazhdim dikush do t’ju zgjatë dorën në shenjë mirësie kundrejt jush. Ata që e kanë zemrën e thyer dhe mendojnë se nuk do të arrijnë ta mbledhin më veten, mjafton të mendojnë se koha shëron gjithçka. Pritet që të merrni lajme të mira përpara fillimit të verës.

Peshqit: Yjet parashikojnë një periudhë ngritjeje. Do të ndiheni energjikë dhe të gatshëm për të vepruar. Do t’ju ofrohen mundësi të arta, që nuk duhet të lejoni kurrsesi t’ju shpëtojnë nga dora. Ndokush prej jush po heq para mënjanë për të blerë një makinë, shtëpi apo diçka të rëndësishme. Do të keni të reja edhe në dashuri dhe familje. Edhe pse po kurseni, shpërblejeni ndonjëherë veten për mundimin.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *