Garland: Ligjet duhen zbatuar me drejtësi dhe besnikëri

Share

Kandidati i Presidentit Biden për detyrën e prokurorit të përgjithshëm amerikan thotë se përgjegjësia e Departamentit të Drejtësisë është të garantojë që “ligjet zbatohen me drejtësi dhe besnikëri” dhe se po mbrohen të drejtat e qytetarit amerikan.

Gjykatësi Merrick Garland, i cili del të hënën para Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, shprehet në një deklaratë të parapërgatitur për senatorët, se ai do të mbrojë pavarësinë e institucionit nëse konfirmohet në detyrë.

Po në bazë të deklaratës, Gjykatësi Garland thotë se si prokuror i përgjithshëm, ai do të veprojë si avokat i popullit amerikan dhe jo i presidentit. Departamenti i Drejtësisë bëri publike një kopje të deklaratës që ai do të lexojë në hapje të seancës me pyetje përgjigje.

Nëse konfirmohet kandidatura e tij, zoti Garland do të vijë në krye të Departamentit të Drejtësisë pas një periudhe të mbushur me vendime që zgjuan polemika dhe përplasje politike nën administratën e Presidentit Trump, të shoqëruar me kritika të forta nga demokratët që ishin në opozitë, të cilët e akuzuan drejtuesin e mëparshëm William Barr se po vepronte në interes të presidentit dhe po e politizonte punën e departamentit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend.

Ish-prokurori i përgjithshëm, William Barr pat deklaruar se ishte një drejtues i pavarur, që nuk epej para presionit politik. Por demokratët e akuzonin se po vepronte më tepër si avokat i Presidentit Trump.

Gjatë mandatit të tij, Departamenti i Drejtësisë mori një numër vendimesh që zgjuan polemika si rekomandimin për të ulur dënimin për ish-bashkëpunëtorin e zotit Trump, Roger Stone si dhe masat për të mbyllur çështjen penale kundër ish-këshilltarit për siguri kombëtare të administratës Trump, Michael Flynn.

Në deklaratën e tij, zoti Garland parashtron planin për të trajtuar me prioritet të drejtat civile, pas një viti të mbushur me protesta me thirrjet për drejtësi racore dhe kundër dhunës së tepruar policore.

Zoti Garland veçon edhe problemin e terrorizmit të brendshëm dhe shtimin ekstremizmit në vend si temë prioritare për Departamentin e Drejtësisë, duke nënvizuar punën që ka bërë në të kaluarën në ndjekjen penale të autorëve për shpërthimin në Oklahoma në 1995.

Ai komenton edhe mbi ngjarjet e 6 janarit në Kapitol, duke i cilësuar si një “sulm të urryer që u përpoq të dëmtonte një gurë themeli të demokracisë amerikane: transferimin paqësor të pushtetit tek një qeveri e zgjedhur me votë”./ VOA


Share

Komente