September 24, 2021

Gazetarët në protestë: Kuvendi po cenon raportimin e lirë dhe të pavarur

Shpërndaje lajmin

Gazetarët e akredituar në Kuvendin e Shqipërisë protestuan kundër rregullores së re të Kuvendit për mediat, duke kërkuar tërheqjen e saj, pasi u cënon burimet dhe kthehet në pengesë për informim të pavarur.

Gazetarët dhe operatorët që mbulojnë punimet e Kuvendit protestuan të mërkurën kundër rregullores së re që pengon raportimin e tyre të pavarur. Foto: Vladimir Karaj.

Një rregullore e re për mediat, e miratuar nga Byroja e Kuvendit të Shqipërisë, nxorri në protestë gazetarët e terrenit që mbulojnë prej vitesh punimet e parlamentit dhe grupeve parlamentare. Gazetarët thonë se rregullorja cënon punën e tyre dhe i kufizon ata pas ekraneve me regji qendrore, duke mos i lejuar të monitorojnë vetë punimet e komisioneve dhe duke cënuar aksesin te deputetët dhe burimet.

Gazetarët nënshkruan një peticion, përmes të cilit i kërkojnë Kuvendit të tërhiqet prej rregullores dhe ta rishikojë atë duke e diskutuar edhe me mediat që preken prej saj.

“Nisjen e menjëhershme të një negociate publike të Kuvendit dhe reporterëve të akredituar në institucion dhe organizmave të tjerë të interesuar,” thuhet në kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe përfaqësive diplomatike në Shqipëri.

Kuvendi i Shqipërisë nuk pati reagim zyrtar për protestën deri në publikimin e këtij shkrimi.

Gazetarja e televizionit ABC, Esiona Konomi i tha BIRN se rregullorja e re i kufizonte gazetarët dhe në njëfarë mënyre, i detyronte ata të transmetonin vetëm atë që shfaqej prej regjisë që menaxhon xhirimet e mbledhjeve të komisioneve.

“Dua që të jem aty dhe të transmetoj në mënyrë të lirë dhe të pavarur. I bëj thirrje Kuvendit, maxhorancës që të tërhiqet,” tha Konomi, që njësoj si kolegët tha se gazetarët që prekeshin drejtpërdrejt nga rregullorja nuk ishin pyetur për miratimin e saj. Gazetarja tha se transmetimet me regji gjatë periudhës së pandemisë kishin provuar se informimi me regji nuk funksiononte dhe se kishte raste të ndërprerjes së lidhjes në momente të rëndësishme.

Ndërkohë, gazetari Osman Stafa tha gjatë protestës se rregullorja ishte vijim i veprimeve që cënonin punën e gazetarëve që po kapërcehej e po zëvendësohej nga kasetat e gatshme. Stafa tha se ishte koha që edhe vetë gazetarët dhe redaksitë të reflektonin për të refuzuar kasetat e gatshme dhe për të mundësuar gazetarëve të kryenin punën e tyre.

Gazetarët kundërshtojnë disa nene të rregullores së re. Ata thonë se neni 12 që kushtëzon qëndrimin e tyre në një sallë të cilësuar si “Neësroom” prej të cilës mund të ndjekin punimet përmes ekraneve u pamundëson  ndjekjen reale të komisioneve, madje edhe verifikimin e kuorumit.

Gjithashtu, gazetarët cilësojnë si shkelje nenin 16 të rregullores që përcakton se në mjediset e Kuvendit ata do të shoqërohen nga punonjës të Gardës apo zyrës së shtypit.

Në reagim gazetarët thonë se kjo pjesë e rregullores cënon ata dhe burimet e tyre. “Praktikisht na keni penguar të kontaktojnë me burimet tona që mund të jenë mes administratës apo deputetëve të ndryshëm. Ju na detyroni ne, të tregojmë se kë duam të takojmë dhe pse, duke na nxitur të ekspozojmë burimet tona, të cilat janë të mbrojtura në praktikat më të mira ndërkombëtare, të garantuara respektivisht nga nenet 8 dhe 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut,” thuhet në deklaratën e gazetarëve.

Një nen tjetër i çuditshëm në rregullore, ai 29-të, i detyron gazetarët që për të realizuar intervista me deputetë të ndryshëm, të paraqesin kërkesë në zyrën e shtypit. Kërkesa për intervistë duhet të përmbajë emrin e deputetit që do intervistohet dhe çështjet konkrete për të cilat do zhvillohet intervista.

Ky rregull që zbatohet rëndom në zyra shtypi të drejtorive apo edhe ministrive nuk duket se kufizon vetëm gazetarët, por në mënyrë absurde edhe deputetët.

Shoqatat e gazetarëve reaguan ashpër kundër rregullores. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë tha se kishte kërkuar ndryshimin e disa neneve të saj.

Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë”, APJ Albania, e cilësoi rregullore “të papritur dhe të padrejtë” dhe tha se ajo i izolonte gazetarët.  “Është e papranueshme që ky ndryshim i rregullores së Kuvendit, që prek direkt punën e mediave është marrë në mënyrë të njëanshme e pa u konsultuar me gazetarët e organizatat e tyre”, thuhet në reagimin e APJ.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) po ashtu e cilësoi rregulloren të pakonsultuar dhe kërkoi që ajo të rishikohej duke i kujtuar Kuvendit të Shqipërisë premtimet për transparencë.

Gazetarët në protestë kundër bllokimit të aksesit për të mbuluar punimet e Komisioneve Parlamentare. Foto: Vladimir Karaj.

Gazetarët duke nënshkruar një peticion drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Foto: Vladimir Karaj.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *