Gazetarja: Dëmshpërbimi i personave të larguar nga puna kap vlerën 127 mln euro
Gazetarja Dorina Azo, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin Review në Euronews Albania, ku foli në lidhje me vonesat e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore si pasojë e reformës në drejtësi.
Azo zbuloi dhe një shifër interesante mbi faturën e dëmshpërbimeve të dhënë nga gjykata për të larguarit padrejtësisht nga puna gjatë periudhës 2015-2022.
Gazetarja tha se kjo shifër sipas të dhënave nga Ministria e Financave kap vlerën e 127 milionë eurove, të cilat duhet të paguhen nga buxheti i shtetit.
“Ne kemi dashur të nxjerrim një bilanc se sa është fatura e vendimeve të formës së prerë për të larguarit padrejtësisht nga puna. Ajo është një kategori që ka një numër të madh dhe ka një faturë tjetër që përveç atij që është larguar nga puna, paguhet dhe personi tjetër. Nga të dhënat që unë kam marrë nga Ministria e Financave, vetëm për periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2022 në total fatura e dëmshpërblimeve për të larguarit padrejtësisht nga puna, për të gjithë administratën, si atë vendore dhe atë qendrore, ka shkuar në shifrat e 127 milionë dollarëve. Dëmshpërblime e kostove vetëm për vendimet e gjykatave”, tha gazetarja.