September 25, 2021

Gentiana Xhelili përballet me pikëpyetje për pasurinë dhe profesionalizmin

Shpërndaje lajmin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi financiare të gjyqtares së Gjykatës Administrative Vlorë, Gentiana Xhelili për krijimin e kursimeve dhe aseteve –por subjekti u mbrojt me argumentin se kishte ngatërruar lekët e reja me të vjetra.

Gjyqtarja Gentiana Xhelili në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Vlorës, Gentiana Xhelili u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme me pasurinë dhe profesionalizmin, për të cilat ajo dha shpjegime. Ndërkohë, Xhelili u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për Xhelilin përbëhet nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Komisioni konstatoi mungesë të burimeve financiare për blerjen e dy automjeteve, çmimet e shitjes së të cilave janë deklaruar si burime për krijimin e një gjendje cash në shumën 4 mijë euro në vitin 2016.

Sipas KPK, subjekti nuk ka pasur mundësi të blejë autoveturën tip “Benz” në vitin 2010, të cilën e ka shitur në vitin 2016 për 3100 euro. Një automjet i dytë i deklaruar si i dhuruar nga një ambasadë e huaj rezultoi sipas Komisionit se ishte blerë për 362 mijë lekë.

Xhelili shpjegoi se këtë makinë ia kishte dhënë motra që punon në ambasadën belge në Athinë. Ajo shpjegoi se motrës ia kishte dhënë makinën ambasada pa ndonjë pagesë dhe se motra ia kishte dhuruar asaj.

Gjyqtarja Xhelili tha se dogana nuk e njihte dhurimin për kryerjen e procedurës së zhdoganimit dhe për këtë arsye, ishte shënuar si çmim i blerjes, vlera e referencës. Subjekti solli në vëmendje se kishte depozituar në Komision edhe një deklaratë të ambasadorit të atëhershëm belg në Athinë, ku thuhej se makina kishte qenë e dhuruar.

Në interesim të relatores Çiftja lidhur me përfituesin e vlerës së shitjes së makinës të deklaruar si të dhuruar, Xhelili pohoi se kishte qenë ajo dhe familja e saj.

Komisioni konstatoi gjithashtu se nuk janë paguar në kohë detyrimet tatimore për të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga prindërit e bashkëshortit të subjektit nga qiraja e një apartamenti në Tiranë në shumën totale 1.4 milionë lekë si dhe të adhura të tjera nga dhënia me qira e tokës bujqësore për periudhën 2011-2014 në shumën 1.2 milionë lekë. Gjithashtu janë vërejtur edhe pasaktësi në deklarimin e vlerve të përfituara dhe për këto arsye, KPK nuk i ka përfshirë në analizën financiare.

Që në fillim të fjalës së saj, gjyqtarja Gentiana Xhelili kërkoi konfirmimin në detyrë. Ajo shpjegoi situatën e të ardhurave të përfituara nga prindërit e bashkëshortit prej qirasë së apartamentit dhe tokës bujqësore dhe i cilësoi ato të ligjshme.

“I kam deklaruar me sinqeritet të gjitha. Kur u transferuam në Sarandë e dhamë shtëpinë me qira në vitin 2010. Në vitin 2011 është lidhur edhe qiraja për tokën me shkresë të thjeshtë, ligji e prashikon se nuk është e nevojshme të bëhet me noter. Nuk kishte qëllim që të fshihej qiraja”, deklaroi Xhelili dhe e konsideroi të padrejtë mospërfshirjen e të ardhurave nga qiraja në analizën financiare.

Sipas Xhelilit, edhe pse pagesa e detyrimeve tatimore për këto të ardhura nuk ishte kryer në kohën e duhur, ato janë të ligjshme pasi shlyerja më vonë nuk bie në kundërshtim me asnjë ligj.

Relatorja Çiftja evidentoi se subjekti ka pretenduar se i ka deklaruar gabimisht në vitin 2014 kursimet në shumën 7 milionë lekë dhe në vitin 2015 në vlerën 8 milionë lekë, duke i shënuar me “lekë të vjetra”.

Komisioni konstaton se në vitet 2014 dhe 2015, por edhe në vite të tjera subjekti e ka pasur të qartë konceptin e monedhës, pasi i ka pasqyruar shumat në mënyrë të regullt.

“Deri tani Komisioni merr në konsideratë deklarimet për vlerat 7 milionë lekë dhe 8 milionë lekë,” pohoi Çiftja.

Xhelili këmbënguli në seancë se këto deklarime ishin lapsuse të kryera nga ana e saj, pasi i kishte shënuar vlerat me “lekë të vjetra”. “Kam shënuar një zero më shumë,” tha ajo.

“Vetëm një person alogjik do të kishte vendosur kursimin 7 milionë lekë me këto të ardhura që kam pasur. Ka ndodhur në vitin 2014 dhe pastaj ka ndodhur edhe në 2015-ën. E pranoj që është një lapsus, por lapsuset edhe ndodhin,” tha ajo.

Pyetjeve të Sprenger lidhur me “lapsuset” e pretenduara, Xhelili ju përgjigj duke sjellë shembuj të njëjtë të kryer prej saj në deklarime të mëparshme, madje dhe në vendime gjyqësore, ku i kishte shënuar vlerat financiare me “lekë të vjetra”.

“Kur kam ardhur një herë nga shteti grek kam blerë një kile domate me 50 mijë lekë të vjetra se shënonte 5 mijë lekë,” pohoi gjyqtarja.

Komisioni konstaton mungesë fondesh për blerjen e kuotave në shumën 7.5 milionë lekë në vitin 2017, si burim i të cilave subjekti ka deklaruar shumën 4 milionë lekë nga kursimet prej qirave; 2.5 milionë lekë të përfituara nga një vendim gjyqësor për dëmshpërblim për një aksident të motrës; si dhe 1.5 milionë lekë kursime të bashkëshortit. Nga hetimi ka rezultuar se nuk kishte pasur mundësi për krijimin e kursimeve, ndërkohë që nuk ka gjetur pobleme në shumën e përfituar me vendim gjyqësor.

Sprenger e pyeti subjektin se si kishte pasur mundësi që ajo kishte përfituar shpërblim për shkak të aksidentit të motrës.

Xhelili deklaroi se kërkesë -padia për shpërblimin e dëmit jopasuror ishte kryer nga gjithë anëtarët e familjes së origjinës dhe se legjislacioni e parashikon një gjë të tillë. “Ka shumë vendime të tilla. Ka një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë që përcakton se kompensohen edhe familjarët”, argumentoi Xhelili.

Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimit të subjektit me dokumentet e administruara gjatë hetimit, lidhur me një transfertë në shumën 20 mijë euro të depozituar në llogarinë bankare të Xhelilit në vitin 2010 nga e motra.

Xhelili pretendoi se transferta ishte kryer vetëm për shkak të vjedhjes së portofolit të motrës, ku gjendej edhe karta e bankës së bashku me kodin. Ajo pohoi se grabitësi kishte tërhequr 60 mijë lekë dhe se transaksioni ishte kryer për siguri. Gjithashtu, Xhelili tha se motra kishte kryer kallëzim penal për ngjarjen.

Lidhur me shënimin e kryer si kthim borxhi, Xhelili sqaroi se këtë mund ta kishte kryer pa dashje punonjësja e bankës.

E pyetur nga Sprenger për burimin e kësaj vlere dhe mënyrë e transferimit në Shqipëri, Xhelili shpjegoi se motrës ia kishte dhënë motra tjetër që jetonte e punonte në Greqi dhe se ajo i kishte transferuar pjesë-pjesë.

“Të bën sens të hapësh një llogari për disa muaj,” e pyeti Sprenger. Xhelili tha shkurtimisht “po”.

Gjetjet për profesionalizmin

Relatorja Çiftja renditi një sërë vendimesh të verifikuara nga Komisioni prej nga kishte rezultuar se gjyqtarja Xhelili i kishte kryer gjykimet jashtë afateve të përcaktuara. Gjithashtu u evidentuan edhe disa ankesa të kryera pranë KLD për zvarritje të proceseve gjyqësore.

Gjyqtarja Xhelili deklaroi se kishte pasur mbingarkesë. “Kur erdha në Vlorë, kam gjykuar për një vit e gjysmë 1200 dosje. Kam gjykuar pesëfishin e një gjyqtari me ngarkesë maksimale,” pretendoi ajo, ndërsa shtoi se nuk mund të penalizohej nga një vendim i KLD për afatet, pasi ligji prevalonte.

Çiftja evidentoi se një rast kur Ministri i Drejtësisë i kishte kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD që të niste procedim disiplinor për një ankesë të kryer për një çështje me palë ZVRPP Vlorë dhe disa qytetarë.

Nga verifikimi i çështjes është konstatuar se ka pasur mospërputhje mes fakteve të evidentuara në seancë me ato të pasqyruara në vendim.

“Në vendim ka të dhëna të pasakta që nuk kanë të bëjnë me gjykimin dhe ka procesverbale me të dhëna të ndryshme. Rezulton se ZVRPP Vlorë nuk është njoftuar për vendimin, duke bërë që t’i humbasë e drejta për ankim,” tha ndër të tjera relatorja Çiftja.

Gjyqtarja Xhelili deklaroi se i kishte njoftuar palët në proces, përfshi edhe Avokatin e Shtetit. Ajo shtoi se shënimi se ZVRPP Vlorë ishte prezente kishte qenë një lapsus në vendim që ishte korrigjuar më pas.

Relatorja Çiftja theksoi faktin se ZVRPP-së i ishte hequr e drejta për të kryer ankim dhe i kërkoi subjektit të qartësonte këtë situatë. Ajo e pyeti nëse korigjimi ishte kryer para apo pas kërkeseës së Ministrisë së Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore.

Xhelili shpjegoi se gabimi ishte konstatuar gjatë inspektimit dhe korrigjimi ishte kryer në vitin 2016, para se të kërkohej masa ndaj saj në vitin 2018. Ajo deklaroi se pas korrigjimit, ZVRPP ishte ishte njoftuar për vendimin dhe se e kishte pasur të drejtën e ankimit, por e kishte kryer jashtë afatit.

Xhelili i kundërshtoi dhe gjetjet për ankesat e tjera të kryera në ish-KLD.

Mes 12 denoncimeve nga publiku, në seancë u diksutua më gjatë për atë të kryer nga një ish-punonjëse e gjykatës, e cila ka pretenduar se Xhelili, në cilësinë e nënkryetares e ka diskriminuar, pasi i ka ushtruar presion psikologjik dhe e ka detyruar të nënshkruajë largimin nga puna.

Xhelili shpjegoi se shorti në gjykatë zhvillohej nga punonjësja e IT dhe se kur ishte emëruar si nënkryetare, kishte konstatuar se një çështje i kishte kaluar një gjyqtari tjetër nga atij që i kishte rënë me short.

“I thashë pse e bëre? Ke të drejtë më tha, nuk e bëj më”, pohoi Xhelili dhe shtoi se punonjësja e IT kishte bërë kërkesë për dorëheqje.

Gjyqtarja Xhelili vijoi se kishte verifikuar hedhjen e shorteve që prej vitit 2015 kur punonjësa e IT kishte filluar punë, prej nga ishte konstatuar se ishin ndryshuar gjithmonë gjyqtarët.

“Ishte ndryshim shorti, i hiqej çështja një gjyqtari dhe i kalohej një tjetri. Kam kryer edhe kallëzim penal në prokurori”, sqaroi Xhelilidhe kërkoi që ky denoncim të mos merrej parasysh.

Në fund të seancës, gjyqtarja Xhelili u shpreh se kishte arritur nivel të besueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 20 prill, në orën 10:00.

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *