Gjenevë: Edhe një forum i suksesshëm shqiptarozviceran për patundshmëritë dhe financat
Forumi Shqiptaro-zviceran, (Real Estate, investime dhe financa) i mbajtur të premten në Gjenevë ishte një tubim i cili i ka bërë bashkë një numër të madh ndërmarrësish shqiptarë e zviceranë. Me një pjesëmarrje impresive prej rreth 200 vetash, forumi i organizuar nga platforma mediale albinfo.ch ishte edhe një dëshmi për punën e përkushtuar dhe prej pionieri që kjo platformë po bën edhe në fusha që kalojnë informimin e diasporës shqiptare, që është angazhimi i saj primar.
Forumi i mbajtur në Gjenevë ishte edhe një hallkë në serinë e forumeve të kësaj natyre, të mbajtura më parë në Cyrih, Lozanë e gjetiu. Tregu i patundshmërive, i ndërtimit dhe i financave, gjegjësisht bashkëpunimi në këtë kontekst në mes të afaristëve shqiptarë – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Diaspora – dhe atyre zviceranë, ishte në fokus të këtij tubimi. Në këtë kuptim, ishte në nivel të lartë edhe prania e përfaqësuesve të shteteve përkatëse të prejardhjes, gjegjësisht, krerëve të përfaqësive diplomatike në Zvicër.
Kështu, pjesëmarrësve, me fjalë inkurajuese rasti ju drejtuan: Zonja Shukrije Ramadani, ushtrues e detyrës së Ambasadores së Kosovës në Zvicër, zonja Teuta Agai-Demjaha, ambasadore e republikës së Maqedonisë së Veriut në selinë e OKB-së, në Gjenevë dhe zoti Valon Gashi, sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë.
Folësit e përmendur kanë përgëzuar platformën albinfo.ch duke e cilësuar si pikë të pashmangshme referimi për shumë nga organizimet e frytshme që zhvillohen në komunitetin shqiptar të Zvicrës.
Në cilësinë e organizatorit dhe mikpritësit, drejtori i platformës mediale albinfo.ch, Sevdail Tahiri ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka falënderuar në veçanti afaristët e suksesshëm “vendës”, gjegjësisht krerët e kompanive të fuqishme nga Vaudi, Arllati Group dhe Probat Group. Tahiri ka shpalosur me pak fjalë kontributin e albinfo.ch në lidhjen dhe rrjetëzimin në mes të bizneseve shqiptare të Zvicrës dhe atyre të Ballkanit, gjegjësisht të vendeve të prejardhjes të të përmendurve më lartë.
Si themelues i platformës albinfo.ch ka folur edhe Dr. Bashkim Iseni, i cili është përqendruar në rolin e kësaj platforme, që nga themelimi i saj në vendosjen e urave lidhëse në mes të bizneseve të diasporës, atyre të Zvicrës dhe të vendeve si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Afaristi i njohur shqiptar nga Zvicra, Fehmi Fetahi ka përshëndetur pjesëmarrësit në cilësinë e shefit të bordit drejtues të forumit të bizneseve shqiptare në diasporë, duke përgëzuar platformën mediale albinfo.ch për këtë organizim.
Serinë e prezantimit të firmave në kuadër të forumit, e hapi prezantimi i kompanisë së madhe në sferën e ndërtimit, asaj “Orllati”, me seli në Lozanë, Vaud. Mirlinda Orllati, e bija e themeluesit, Avni Orllati, përmes projektimeve në video ka bërë një prezantim të gjerë të gjigantit ndër më të mëdhenjtë dhe më të suksesshmit, të ndërtimit në Vaud dhe në gjithë Zvicrën. Me 960 punëtorë, me 80 kantiere që udhëheq aktualisht dhe me disa nga ndërtimet më impozante në regjion emë gjerë, “Orllati” ka fituar me meritë statusin që gëzon në mesin e ndërtimtarëve më të mëdhenj dhe më cilësorë të Zvicrës.
Labinot Haxhaj, duke prezantuar kompaninë e tij Probat Group, ka folur për fillet e tij, si i ardhur rishtas nga Kosova, para rreth njëzet vitesh me gjithsej 2-3 punëtorë. Tani kompania e tij e krijuar edhe me blerjen e 12 firmave të tjera, numëron disa qindra të punësuar dhe drejton projekte të mëdha ndërtimi në regjion. Ai ka thënë se një model për punën e tij ka pasur edhe mikun e tij, Avni Orllatin, themeluesin e Orllati Group.
Krahas projekteve të shumta në Zvicër, Haxhaj ka filluar të realizojë edhe një ëndërr të tij të kahershme: investimin në atdhe, në Kosovë. Labinoti ka inkurajuar të gjithë afaristët nga diaspora të investojnë edhe ne atdhe. Këtë do ta bëjnë tashmë jo vetëm nga lidhja emocionale por edhe si burim solid përfitimi, krahas kontributit në rritjen e punësimit atje.
DM Bau AG, kompani që vepron prej 25 vitesh, e specializuar për ndërtime modulare prej druri dhe e udhëhequr nga Labinot Pirkuqi, është prezantuar nga Edmoind Derveni, këshilltar i bordit. Kompania punon me sukses në nëntë pika të ndryshme në Zvicër.
Më tutje është prezantuar kompania arkitekturore Modium Group nga CEO i saj, Burim Bajraktari, si një kompani që i ka sjellë arkitekturës një dimension të ri. Dhe së e fundit, por jo për nga rëndësia është prezantuar kompania e njohur nga Shqipëria, Balfin Real Estate Albania, e specializuar për turizëm, e përfaqësuar nga Xhesiana Lataj.
Me debatin në një panel të përbërë nga specialistë të fushave të tyre përkatëse si Pren Pervorfi, COO i kompanisë së njohur të financave smzh, Liburn Mehmetaj, avokat nga Gjeneva (njëherësh kryetar i LAPSH të Zvicrës), Burim Bajraktari etj. janë përmbyllur punimet e suksesshme të forumit të mbajtur dje në Gjenevë.
Forumin e ka moderuar me sukses dhe me kompetencë, moderatori oi njohur nga Prishtina, Berat Miftari.