Gjermani: Gati çdo i dyti fëmijë nën 10 vjeç ka origjinë të huaj

Shpërndaje lajmin

15 vite më parë situata dukej kështu: çdo i katërti fëmijë nën 10-vjeç në Gjermani kishte prejardhje të huaj. Në vitin 2022 gjendja prezantohet kështu: gati çdo i dyti fëmijë nën 10-vjeç ka origjinë të huaj. Në këtë përfundim ka arritur një studim i Institutit Federal për Hulumtime Demografike në Gjermani. Si njeri me origjinë të huaj konsiderohet ai që është lindur në një vend tjetër apo së paku ka një prind, i cili në momentin e lindjes nuk ka pasur shtetësi gjermane.
Këto kritere momentalisht i plotësojnë 22 milionë njerëz në Gjermani. Ky shtet ka 83 milionë banorë. Studimi tregon se në 30 vitet e fundit shoqëria gjermane është mplakur dukshëm. Në fillim të viteve 90-të mosha mesatare në Gjermani ishte 39 vjet. Tani është 44,6 vjet. Pa të huajt që kanë ardhur në Gjermani viteve të fundit, mosha mesatare e gjermanëve dhe të ishte edhe më e lartë, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Numri i njerëzve që punojnë në moshën mbi 60-vjeçare është rritur dukshëm. Arsye për këtë është të jetuarit e shëndetshëm. Para 30 vitesh 60 për qind e personave në moshën mes 60 dhe 65 vjet merrnin pension. Kjo shifër ndërkohë është përgjysmuar.
Edhe modeli tradicional i familjes është duke u zhdukur ngadalë. Më 1996, 40 për qind e burrave të moshës 30-vjeçare jetonin në partneritet dhe me fëmijë në një amvisëri. Vitin e shkuar vetëm 24 për qind. Njerëzit jetojnë shpesh vetëm apo bashkë me fëmijë. Çdo i katërti burrë mes moshës 40 dhe 44-vjeçare në vitin 2021 jetonte vetëm, më 1996 kjo shifër ishte 10 për qind.
Në një koment mbi zhvillimet demografike “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se migrimi në Gjermani është nxitur vazhdimisht. Pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe më vonë në Gjermani kanë ardhur shumë gjermanë që jetonin gjashtë Gjermanisë. Pastaj nga vitet 60-të vala e gastarbajterëve. Me liberalizimin e tregut të punës në kuadër të BE-së në Gjermani kanë ardhur mijëra njerëz nga vendet e BE-së. Më 2015 Gjermania pranoi 1 milion refugjatë nga Siria dhe vende të tjera.
“Në thelb”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “problemi qëndron te gjermanët. Ata nuk kanë vullnet të sjellin në botë dhe rrisin fëmijët që janë të domosdoshëm për të ruajtur standardin e tyre jetësor. Pa dyshim kjo do ta ndryshojë shoqërinë. Por edhe këtu ka dritë dhe hije: kemi ministër me origjinë të huaj dhe lagje problematike. Në përgjithësi fuqia integruese e Gjermanisë më shumë nënvlerësohet, siç tregon një shikim në vendet e tjera perëndimore – dhe përditshmëria në shumë vendbanime gjermane”./koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published.