January 13, 2022

Gjykata anulon përzgjedhjen e kandidatëve për KLGJ dhe KLP

Shpërndaje lajmin

Trupa e pedagogëve do të përsërisë Mbledhjen e Posaçme për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për KLGJ dhe KLP, pasi Gjykata Administrative e Apelit e konsideroi përjashtimin e njërit prej kandidatëve nga gara si të kundraligjshëm.

Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë për përzgjedhjen e kandidatëve për KLGJ dhe KLP.

Kuvendi lajmëroi të premten një mbledhje të re të trupës së pedagogëve, një organizëm që përzgjedh kandidaturat për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas njoftimit të Kuvendit, një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit i datës 4 nëntor  ka konstatuar probleme ligjore me përzgjedhjen e kandidatëve në Mbledhjen e Posaçme të drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Shkollës së Magjistraturës, e mbajtur më 12 tetor të këtij viti.

Në mbledhjen e mëparshme, pedagogët vendosën që të përjashtojnë nga gara kandidatin Indrit Shtupi, i cili mungoi në seancën dëgjimore për arsye shëndetësore. Shtupi e ankimoi vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit dhe kjo e fundit i dha të drejtë, duke e detyruar Kuvendin që të përsërisë Mbledhjen e Posaçme.

Në mbledhjen e mëparshme u prezantuan 9 kandidatura që vinin si propozime nga universitetet publike dhe private si dhe nga Shkolla e Magjistratutës.

Kandidatura e Indrit Shtupit ishte propozuar nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës, por për shkak të mungesës fizike në sallë, ai u skualifikua nga gara. Justifikimi i dërguar prej tij se ishte duke u kuruar në një spital jashtë vendit, nuk u cilësua i vlefshëm nga trupa e pedagogëve për ta futur emrin në procesin e votimit.

Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.

Mbledhja do të mbahet të hënën më 15 nëntor në ambientet e Kuvendit.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *