April 15, 2021

Gjykata e Kukësit dënon me 6 vjet burg Fjolla Morinën

Shpërndaje lajmin

Gjykata e Kukësit u tregua për të dytën herë radhazi më e ashpër me këngëtaren Fjolla Morina, duke i dhënë dy vite burg më shumë nga sa ishin kërkuar prej prokurorisë. Avokatja e Morinës tha se vendimi do apelohej.

Këngëtarja kosovare Fjolla Morina akuzohet për trafik armësh dhe municionesh

Gjykata e Kukësit njoftoi të enjten se gjeti fajtore për “trafik ndërkombëtar armësh” këngëtaren nga Kosova Fjolla Morina, e cila u gjykua në mungesë pasi u arratis nga vendi ku qëndronte me masë arresti shtëpiak.

Gjykata u tregua sërish më e ashpër se sa prokuroria në ndëshkimin e Morinës. Ajo dënoi këngëtaren me 9 vite burg, nga 7 që ishin kërkuar prej prokurorit Edmond Kariqi. Për shkak të gjykimit të shkurtuar Morina përfiton ulje të 1/3 së dënimit dhe duhet të vuaj sipas Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës 6 vjet burg.

Avokatja e Morinës Aurora Guska tha se vendimi i trupës kryesuar nga Alma Ahmeta, dhe anëtar Sami Ujkashi dhe Enkeleda Dalipi,  do të apelohej, ndërsa këmbënguli se arma ishte harruar aksidentalisht në çantë.

Kjo është e dyta herë që gjykata tregohet ndaj Morinës më e ashpër se sa prokuroria. Në fund të vitit të kaluar gjyqtari Florin Demollari që shqyrtoi dosjen në seancë paraprake vendosi të ndryshonte akuzën me të cilën prokuroria kishte sjellë dosjen në gjykatë, nga “armëmbajtje pa leje” në “trafik ndërkombëtar armësh”, pasi sipas tij prokuroria kishte “cilësuar gabim” faktin.

Gjykimi ndaj Morinës, e cila u arratis në Janar pas ndryshimit të akuzës dhe vijon jetën e saj në Kosovë, përfundoi në dy seanca.

Në përfundim të hetimit gjyqësor, prokurori i çështjes Edmond Kariqi ka kërkuar 7 vjet burgim për të akuzuarën Fjolla Morina.  Minimumi i parashikuar për akuzën “trafik i armëve dhe municionit” parashikuar nga neni 278 germa a/1 e Kodit Penal të Republikës Shqipërisë.

Ndërkohë që avokatja Guska kërkoi ndryshim të akuzës. Pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje dhe ndëshkim me gjobë të këngëtares. Trupi gjykues megjithatë ndau mendim ndryshe nga të dy palët dhe vendosi 9 vite burg për Fjolla Morinën, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar zbriten në 6 vite.

Avokatja e këngëtares, Aurora Guska, është shprehur se vendimi i gjykatës do të ankimohet. Guska u shpreh se Fjolla ka pasur në çantë vetëm një armë, edhe atë aksidentalisht. “Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ka pasur vetëm një armë, e ka pasur pa dashje, aksidentalisht në çantën e saj”, u shpreh avokatja Guska.

Këngëtarja nga Kosova u arrestua me 19 shtator të vitit kaluar bashkë më dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte. Fitim Muji shoferi personal dhe miku i saj, tashmë bashkëshorti I Fjolla Morinës , biznesmeni nga Gjilani, Fisnik Syla. Sipas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës së Kukësit të dhënë me 1 dhjetorit 2020, në të cilin u shqyrtua paraprakisht kërkesa për gjykimin e çështjes nga prokurori, Morina ka pranuar se arma dhe fishekët kanë qenë të sajat, duke shfajësuar të fejuarin Fisnik Sylaj dhe shoferin Fitim Muji.

Pavarësisht dënimit me 6 vjet  burgim, Morina e arratisur në Kosovë vetëm katër ditë është shfaqur në një televizion të Kosovës në një intervistë bashkë me partnerin e saj Fisnik Syla.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *