September 25, 2021

Gjykata e Matit shpalli fajtorë 14 të akuzuarit për dëmtim e materialeve zgjedhore në vitin 2019-të

Shpërndaje lajmin

Në total gjykata dha 7 vjet burg, 26 vite dënim me kusht dhe 960 orë punë në interes publik, për 14 të akuzuar. Përfaqësues të Partisë Demokratike e cilësuan dënimin politik dhe thanë se të dënuarit kërkuan zgjedhje të lira.  

Foto ilustrative nga gjykata | Foto nga : Flickr/Ssalonso

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka shpallur paraditen e të hënës, vendimin përfundimtar për 14 të pandehurit si personat përgjegjës për dëmtimin e materialeve të zgjedhjeve lokale në vitin 2019-të.

Gjykata vendosi të shpallë fajtorë të 14 të akuzuarit për djegien e materialit zgjedhor në KZAZ-të 16 dhe 17 në Mat e Klos dhe dëmtim të kompjuterëve dhe ekraneve të numërimit.

Të dënuarit akuzohen për “dëmtim me dashje të materialit zgjedhorë”, “kundërshtim të policisë”, “organizim grumbullimi të paligjshëm”, “prishje të qetësisë publike”, ndërsa tre prej tyre akuzohen edhe për “kanosje të zgjedhësve”. Në total gjykata dha 7 vjet burg, 13 vjet burg të konvertuar në 26 vite dënim me kusht dhe 4 vite burg të konvertuar në 960 orë punë në interes publik.

Të dënuarit ishin pjesë e përpjekjeve të Partisë Demokratike dhe LSI, të cilat bojkotuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, për të penguar procesin zgjedhor që u mbajt vetëm me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste dhe forcave të vogla opozitare. I gjithë vendi u përfshi në protesta pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta ‘anulloi’ datën e zgjedhjeve, diçka që nuk u pranua nga shumica. Partia Socialiste i fitoi të gjitha bashkitë në vend në zgjedhje thuajse pa rivalë, por disa prej tyre janë pa kryebashkiakë për shkak të procesit të dekriminalizimit.

Prokurori i çështjes Abaz Muça i tha BIRN se ishte kërkuar që të vuanin dënimin me burg vetëm për personat që kishin precedentë të mëparshëm penal. Muça tha se ndër të dënuarit me burg ishte një i dënuar më parë për vjedhje, një i dënuar për dhunë në familje dhe një i dënuar për plagosje. Ai shtoi se këta “nuk mund të dënoheshin me kusht”.

Ndërkohë ai tha se ishin dënuar me punë në interes publik ish-nëpunës të bashkive që morën pjesë në dëmtimin e KZAZ-ve. “Personat që s’kanë pasur precedentë penalë janë dënuar me kusht”, tha Muça. Prokurori sqaroi se një person i 15, i gjykuar në të njëjtin grup, ishte kapur atë ditë me armë pa leje dhe është dënuar për këtë fakt dhe jo për përfshirjen në dëmtimin e KZAZ-ve.

Deputetja e zgjedhur e PD-së Dhurata Çupi reagoi menjëherë pas vendimit duke e cilësuar atë politik. “Vendimi për të dënuar 14 qytetarë që bënë betejë për demokracinë duke lënë 4 prej tyre në burg, është vendim politik dhe i papranueshëm”, shkroi Çupi në faqen e saj në Facebook. Çupi po ashtu lidhi rastin me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të qershorit 2019, që u zhvilluan pavarësisht bojkotin e forcave kryesore të opozitës. “Gjykata e Matit nxiton të dënojë politikisht ata që kërkuan me çdo kusht zgjedhje të barabarta e të lira”, pretendoi Çupi.

Njëlloj ashpër reagoi edhe Arjan Lika kryetari i PD-së së Matit. Lika tha se ndërsa nuk ishin dënuar autorët e masakrës zgjedhore, po dënoheshin dhe persekutoheshin qytetarë “Pse protestuan për zgjedhje e votë të lirë”.

7 nga të akuzuarit u dënuan me shërbim prove. Shkëlzen Uka, Riza Disha, Myrteza Gjini, Paqësor Elezi, Asllan Likursi dhe Edmond Lalaj,  u dënuan me nga 2 vjet burg, që u konvertuan në katër vite dënim me kusht. Xhevalin Gjergji, u dënua me 1 vit burg të konvertuar në 2 vjet shërbim prove.

Sokol Lela, Fatmir Molla, Mehmet Limani dhe Ilirian Celiku u dënuan me nga 1 vit burg të konvertuar në 240 orë punë në interes publik për secilin.

Ndërkohë Adriatik Lika, që po ashtu akuzohej për “pengim të zgjedhësve” dhe “kanosje të zgjedhësve” u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg.  Haki Likursi dhe Alehandër Muharremi, të akuzuar po ashtu edhe për “kanosje të zgjedhësve” u dënuan me nga dy vit burg. Hazbi Kurtagja, i cili u arrestua me të njëjtin grup personash, por që siç del ishte nën akuzë vetëm për mbajtje armësh të ftohta, u dënua me 8 muaj burgim për armëmbajtje.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *