Gjyqi ndaj Trumpit për dokumentet e klasifikuara do të mbahet në pranverën e ardhshme
Një gjykatë federale e ka caktuar gjyqin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara, për pranverën e vitit të ardhshëm.
Gjyqtarja Aileen Cannon e ka caktuar 20 majin si datë për nisje të gjyqit. Trump ka dëshiruar që gjyqi të shtyhet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Mirëpo, ky rast i profilit të lartë do të nisë teksa fushata zgjedhore do të jetë plotësisht aktive.
Trump, 77-vjeçar, përballet me akuza serioze për ruajtjen e të dhënave sensitive në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.
Prokurorët kanë thënë se Trump i ka mbajtur ilegalisht dokumentet e klasifikuara në shtëpinë e tij, pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë, dhe i ka penguar përpjekjet e Qeverisë për t’i rikthyer ato.
Të premten, gjyqtarja Cannon, e emëruar nga Trumpi, ka thënë se gjyqi dyjavor do të zhvilohet në Florida.
Muaj më parë, si datë për fillim të gjyqit ishte përmendur 14 gushti i vitit 2023, mirëpo më vonë është shtyrë, për t’iu lënë kohë të dyja palëve për përgatitje.
Rasti me dokumentet në Mar-a-Lago është vetëm një prej betejave ligjore me të cilat po përballet Trumpi.
Në muajin prill, ai është akuzuar për falsifikim të të dhënave biznesore në shtetin e Nju Jorkut.
Trump ka bërë të ditur këtë javë se ai pret të arrestohet shpejt lidhur me hetimet federale për trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kongresin amerikan, dhe për përpjekjet e tij që ta sfidojë rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.