November 27, 2021
Shpërndaje lajmin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të rrëzojë kërkesën e gjyqtarit të Lezhës, Jak Ndoka për riçeljen e hetimit administrativ në të tri kriteret e rivlerësimit dhe e shkarkoi atë për problemet e gjetura për pasurinë.

Trupa e KPK-së gjatë shpalljes së vendimit për Jak Ndokën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Lezhës, Jak Ndoka. Ashtu si në dy seancat e mëparshme dëgjimore, gjyqtari Ndoka nuk u paraqit as në seancën e shpalljes së vendimit. Gjithashtu, nuk ishte i pranishëm as përfaqësuesi i tij ligjor, Gedeon Dudushi.

Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 22 nëntor Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari i Lezhës, Jak Ndoka ka deformuar të vërtetën nëpërmjet disa transaksioneve në shitjen e një apartamenti të vjetër në Lezhë me qëllim justifikimin e burimeve financiare për blerjen e disa pasurive të tjera në këtë rreth.

E dyshimtë u cilësua edhe bashkëpronësia e vëllait në një apartament në Tiranë që përdoret vetëm prej subjektit, si dhe u konstatua pamundësi financiare në krijimin e pasurive.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Ndoka u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Olsi Komici.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja Sanxhaktari njoftoi se ishin rrëzuar kërkesat e Ndokës për riçeljen e hetimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Sipas Sanxhaktarit, subjekti nuk arriti të kundërshtonte barrën e provës për pasurinë dhe për këtë arsye hetimi u përfundua vetëm në këtë kriter.

Jak Ndoka e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995. Prej gati dy dekadash, ai ka punuar kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *