November 30, 2021

Goditja e dytë e madhe pas Pablo Escobar, si u kap me satelit mbreti i kokainës në Kolumbi

Shpërndaje lajmin

Kolumbia arrestoi trafikantin më të kërkuar të drogës, i cili ishte kreu i organizatës më të madhe kriminale në vend. Dairo Antonio Úsuga, i njohur edhe si “Otoniel”, u kap pas një operacioni të përbashkët nga ushtria, forcat ajrore dhe policia të shtunën.

Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800,000 dollarësh për informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ndërsa SHBA vendosi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për “kokën” e tij. Presidenti Iván Duque përshëndeti kapjen e “Otoniel” përmes një video mesazhi. “Kjo është goditja më e madhe kundër trafikut të drogës në vendin tonë këtë shekull” tha ai. “Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990” tha ai.

Por si u kap?

“Otoniel” u kap në provincën rurale Antioquia në veriperëndim të Kolumbisë, afër kufirit me Panamanë. Operacioni përfshinte 500 ushtarë të mbështetur nga 22 helikopterë. Një polic u vra. “Otoniel” kishte përdorur një rrjet shtëpish të sigurta rurale për të lëvizur dhe për t’iu shmangur autoriteteve dhe nuk përdorte telefon, përkundrazi u mbështet te korrierët për komunikim.

Por vendndodhja e tij në kohën e kapjes së tij u identifikua dy javë më parë, tha gazeta “El Tiempo”. Shefi i policisë Jorge Vargas tha se lëvizjet e tij u gjurmuan nga më shumë se 50 ekspertë të inteligjencës duke përdorur imazhe satelitore. Agjencitë e SHBA dhe Britanisë së Madhe u përfshinë në kërkim.

Duque, i cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”, e përshkroi operacionin si “depërtimi më i madh i xhunglës i parë ndonjëherë në historinë ushtarake të vendit tonë”. Forcat e armatosura të Kolumbisë publikuan më vonë një foto që tregonte ushtarët e saj që ruanin “Otonielin”, i cili ishte në pranga. Ka pasur disa operacione të mëdha që kanë përfshirë mijëra oficerë për kapjen e 50-vjeçarit në vitet e fundit, por deri më tani asnjë nuk ka pasur sukses.

Sa i fuqishëm është Klani i Gjirit?

“Otoniel” ishte kreu i kartelit “Clan del Golfo”. Disa vite më parë vëllai i tij u vra nga policia në një bastisje. Forcat e sigurisë së Kolumbisë e etiketuan bandën si organizatën kriminale më të fuqishme të vendit, ndërsa autoritetet në SHBA e përshkruajnë atë si “të armatosur rëndë dhe jashtëzakonisht të dhunshme”.

Banda, e cila vepron në shumë provinca dhe ka lidhje të gjera ndërkombëtare, është e angazhuar në kontrabandën e kokainës dhe zhvatje. Besohet se ka rreth 1800 anëtarë të armatosur, të cilët janë rekrutuar kryesisht nga grupet paraushtarake të ekstremit të djathtë. Anëtarët janë arrestuar në Argjentinë, Brazil, Honduras, Peru dhe Spanjë.

Banda kontrollon shumë nga rrugët e përdorura për të kontrabanduar drogë nga Kolumbia në SHBA, dhe deri në Rusi. Qeveria kolumbiane, megjithatë, beson se ka shkatërruar numrin e saj në vitet e fundit, duke detyruar shumë anëtarë kryesorë të fshihen në rajone të largëta në xhungël.

“Otoniel” tani përballet me një sërë akuzash, duke përfshirë trafikun e kokainës në SHBA, vrasjen e oficerëve të policisë dhe rekrutimin e fëmijëve. Ai u padit në SHBA në vitin 2009 dhe përballet me procedurat e ekstradimit, të cilat mund ta shohin atë përfundimisht në gjykatë në Nju Jork./ Abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *