October 25, 2021

Grabitja me dhunë në Spiten, policia thotë se ka identifikuar një nga autorët

Shpërndaje lajmin

Të paktën një prej personave pjesëmarrës në grabitjen me dhunë të ndodhur në Spiten është identifikuar nga policia. Ngjarja me pasojë plagosjen e një 47-vjeçareje ka ngjallur pasiguri te banorët.

Banesa e sulmuar nga grabitësit në Spiten të Lezhës. Foto:Elvis Hila

Një familje në Spiten të Lezhës është grabitur me dhunë mëngjesin e të hënës, prej të paktën dy personave të armatosur dhe të maskuar. Policia njoftoi se Vitore Doçi, 47 vjeç, dhe Gjergj Doçi, 57 vjeç, i shoqi janë goditur me mjete të forta.

Gruaja është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të marra.

Policia njoftoi se kishte identifikuar një 23-vjeçar nga i njëjti fshat si autor të dyshuar të grabitjes dhe e ka shpallur atë në kërkim.  Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet me dije se grabitësit kanë arritur të marrin dy telefona celular dhe një sasi parash, ndërsa në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët.

Gjergj Doçi tregoi se atë nuk e kishte zënë ende gjumi kur kishte dëgjuar fëmijët të bërtisnin. “Kur dola shoh dy veta me maskë e me rroba të zeza. Njëri ishte me armë njeri kishte si hekur në dorë”, tregon ai.  Ai thotë se është qëlluar nga pësoni me hekur dhe ka humbur ndjenjat. Pas tij personat kanë qëlluar bashkëshorten, e cila ka marrë plagë të rënda në kokë. Doçi thotë se pa që grabitësit u larguan në këmbë. “Kjo që më ka ndodhur është shumë e rëndë dhe jemi traumatizuar shumë të gjithë si familje”, thotë Gjergj Doçi.

Fqinjë të tij po ashtu thonë se ngjarja ka ngjallur frikë, ndërsa i kërkojnë policisë që të zbardhë sa më parë atë çarë ka ndodhur dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe na ka frikësuar shumë dhe neve si fshatar. Policia duhet të jetë më e pranishme për të parandaluar ngjarje të tilla sepse në këtë situatë ne jemi të pasigurt”, thotë Nikoll Pergjoka banor i Spitenit.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *