Bashkëshortja e Aleksandër Muratajt, Eda Lleshi ka kërcënuar se do të vetëflijohet ditën e mërkurë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nëse drejtësia nuk reagon.
Murataj, ndodhet në burgun 313 i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë si i dyshuar për përfshirje në grabitjen e vitit 2017 në rrugën e Rinasit.
“Unë të mërkurën nëse nuk vihet drejtësia, do të shkoj deri në vetëflijim me benzinë me vajzën”, tha ajo në një intervistë për Abcnews.al.
Ajo u shpreh se shkak për këtë është bërë zvarritja e seancave gjyqësore në Gjykatën e Apelit.
“Unë kërkoj drejtësi se kam 2 vjet që rri në Apel dhe 4 vjet në paraburgim. Unë do ta bëj shumë të madhe do marr edhe vajzën me vete. Aleksandri është në gjendje jo të mirë psikologjike, babai i ka vdekur edhe vëllai i vdiq”.
“I kam shkruar të gjithë organeve të prokurorisë. I kam bërë kërkesë edhe kryeministrit në kohën kur ka qenë izolimi, edhe nuk kam marr një përgjigje. Kam shkuar te shtëpia e kryeministrit, më kanë dalë bodygardët më kanë marr kartën e identitetit dhe më drejtuar te kryeministria për të bërë ankesën.
Gjithashtu bashkëshortja e Muratajt theksoi se ka audion e prokurorit dhe të penduarit, që sipas saj nuk e kanë përmendur emrin e Aleksandrit, duke deklaruar se nuk e njohin.
“Kam audion e prokurorit që thotë nuk ka marr pjesë në grabitje, nga ana tjetër prokurori jep 24 vite burg. Të penduarit nuk e kanë përmend emrin e Aleksit, thonë që nuk e njohim”.