Grumbullimet e qytetarëve/ Manastirliu thirrje të fortë: Merreni seriozisht rrezikun e Covidit

Share

Duke marrë shkas nga disa foto të publikuara në media, ku shihet që qytetarët janë grumbulluar në vende të ndryshme pavarësisht situatës shëndetësore në vend, ministrja Ogerta Manastirliu ka bërë një thirrje të fortë.

Ministrja e Shëndetësisë deklaron se këto pamje na tregojnë se qytetarët nuk po e marrin shumë seriozisht rrezikun që sjell mos zbatimi i rregullave.

Socialistja kërkon që qytetarët duhet të reflektojnë dhe të përdorin të njëjtat armë që po përdor e gjithë bota në betejën përballë Covid-19.

Të dashur qytetarë,

Kjo pamje do të ishte e zakonshme në një kohë tjetër. Në një kohë normale. Pa pandemi. Pamje si kjo tregojnë që nuk po e marrim seriozisht rrezikun që sjell mos zbatimi i rregullave të vendosura.

Virusin e parandalon kujdesi në sjelljen e gjithësecilit, e parandalon përgjegjshmëria qytetare në këtë kohë pandemie që vjen një herë në 100 vjet. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, në shërbim të mbrojtjes së jetës nga virusi i rrezikshëm.

Por duhet të kuptojmë se burimet përballë pandemisë nuk janë të pafundme. Nuk janë të tilla për asnjë shtet të botës. Askush nuk e do kufizimin e mënyrës së të jetuarit. Por një pyetje e arsyeshme, që gjithësecili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes në këtë kohë sfiduese për mbarë globin është:

Çfarë po bëj për ta shmangur rrezikun? Çfarë po bëj për të mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur, nga ky virus i rrezikshëm? Në luftë përballë Covid-19, ne kemi ato armë dhe mjete që po përdor sot e gjithë bota, por që jo të gjithë po i përdorim”, shkruan Manastirliu në rrjetet sociale./ CNA.al

Grumbullimet e qytetarëve/ Manastirliu thirrje të fortë: Merreni seriozisht rrezikun e Covidit


Share

Komente