Gurskalitësi në Gjirokastër| Rifo Hyso, mjeshtëri i ndërtimit të çative të gurta
Me çekanin e gurskalitësit në duar, Rifo Hyso, punon plot mjeshëtri pllakat e gurta të çative karakteristike në Gjirokastër.
Për gati një jetë të tërë ka punuar për ndërtimin e çative karakteristike dhe mbulimin me rasa guri të ndërtesave të ndryshme. Aktualisht punon për ndërtimin e një çatie karakteristike në një prej komplekseve muzeale në Pazarin e gurtë.
“Disa kohë mbeti pezull ndërsa tani nisi të aplikohet sërish ky zanat dhe e shoh që ka interesim nga disa të rinj megjithëse të pakët, pasi kjo punë ka shumë të bëjë me cilësinë, ka të bëjë me zanatin, ka të bëjë me vjetërsinë e punës, ka shumë gjëra që të bëhesh një zanatçi, që të mbarosh një punë, duhet shumë vite praktikë, njohuri”, tha Rifo Hyso, mjeshtër i çative të gurta.
Çatitë e mbuluara me rrasa guri janë veçanti e Gjirokastrës, ndërsa kjo mjeshtëri është trashëguar në breza. Gurskalitësi Rifo Hyso ndihet I kënaqur që megjithë kalimin e viteve sërish qytetarët dhe bizneset I mbulojnë godinat me rasa guri të gdhendura me kujdes.
“Të gjitha duan të mbulohen me çati sepse kjo është karakteristikë e Gjirokastrës, të gjitha bizneset, më vjen mirë që kjo lloj pune tani fillon dhe rritet dhe tjetër është futur teknikë e re, bëhen shumë herë më të mira nga çfarë kanë qenë”, tha Hyso.
Për zanatçiun gjirokastrit të çative karakteristike kjo mjeshtëri nuk duhet lënë të harrohet por duhet të transmetohet tek të rinjtë edhe si një mundësi punësimi.
“Unë jam nga afërsisht të fundit, krahas meje ka edhe 2-3 zanatçinj, ky është zanat i rëndë, do përgatitje fizike, duhet ta duash punën, sot është vështirë të gjesh një punëtor jo të përgatitësh një usta”, tha Hyso.
Ai pohon se organet shtetërore nëpërmjet shkollimit profesional të të rinjve duhet të mbështetin zanatet e traditës në Gjirokastër në mënyrë që ato të mos zhduken por të vazhdojnë të transmetohen në breza.
“Duhen shkolla teknike, të përgatiten njerëz se kjo punë nuk është vetëm praktikë kjo është edhe teori do zgjedhësh materialet e çatisë,do zgjedhësh kapriatat e çatisë, ka problem është një zanat që nuk duhet të bësh vetëm një mbulim me dërrasë guri se mund të ketë mbulim dërrase guri por nuk je i kompletuar dhe tjetër duhet restaurues, puna në Gjirokastër është restauruese nuk është ndërtuese”, tha Hyso.