January 24, 2022

Helmimi masiv në Krujë, autoritet ndërpresin furnizimin me ujë

Shpërndaje lajmin

Mbi 35 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Krujës me shenja të helmimit, ndërsa autoritetet dyshojnë se fajtor është uji dhe kanë ndërprerë furnizimin nga rrjeti. Policia njoftoi nisje të hetimeve.  

Spitalit Bashkiak Stefan Gjoni Krujë. Foto:Elvis Hila

Mbi 35 qytetarë janë rregjistruar me shenja të helmimit në spitalin e Krujës në 48 orët e fundit, ndërsa autoritet kanë ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm deri në mbërritjen e përgjigjeve të analizave.

“Ndërkohë është bërë ndërprerja e ujit të rrjetit, duke qenë se suspekti i parë ka qenë uji që furnizon qytetin. Ndalimi është bërë që në orët e para të mëngjesit dhe nga ai moment nuk ka pasur ujë në popullatë”, tha Redi Rroshi, Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë.

Policia e Krujës njoftoi të hënën pasdite se kishte nisur hetimet me marrjen e informacionit nga spitali i qytetit.

“Pas marrjes së njoftimit mesditën e sotme (e hënë), nga urgjenca e Spitalit të Krujës, se dy ditët e fundit kanë shkuar për ndihmë mjekësore, rreth 35 shtetas, të cilët dyshohet se janë helmuar, menjëherë ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut”, thuhet në njoftimin e policisë.

Yllka Kukalaj, drejtoresha e Spitalit Bashkiak Stefan Gjoni Krujë i tha BIRN se qytetarët kanë pasur kryesisht të vjella, por se fluksi i tyre ka qenë i madh. Kukalaj tha se po ndiqej situata.

Vetë qytetarët pretenduan se nuk kishin konsumuar asgjë jashtë normales, ndërsa ngritën dyshime se helmimi vinte nga uji.

Një qytetar tha, duke kërkuar ti ruhej identiteti,  se kishte pasur shqetësime që prej mbrëmjes të së dielës dhe menjëherë i është drejtuar urgjencës së spitalit. “Kam të vjella, ushqim si përherë, ujë kam konsumuar, ujë të rrjetit, dje në darkë më janë shfaqur shqetësimet, kam edhe nipin që ka shfaqur shqetësime”, tha ai.

Redi Rroshi, drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë tha se saktësisht ende nuk dihej çfarë e kishte shkaktuar helmimin dhe se priteshin rezultatet e analizave, për të cilat tha se duhen 24 deri në 36 orë.

Rroshi tha se për shkak të masivitetit dhe faktit se të prekurit ishin nga lagje të ndryshme të qytetit uji ishte dyshimi kryesorë si shkak i situatës. “Por duhet të flasim pasi të kemi analizat në tryezë”, tha ai. Sipas Rroshit situata e të helmuarve nuk ka qenë e rëndë dhe ata pasi kanë marrë ndihmë mjekësore janë largur për në shtëpi.

Helmime të ngjashme masive me të dyshuar ujin ka pasur edhe më herët në vend. Dy vjet më parë mbi 80 banorë të Bulqizës, përfshi fëmijë u paraqitën në spital me shenja helmimi , por autoritetet nuk e gjetën shkakun e tij.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *