January 26, 2022

Hetimi parlamentar i “aferës së inceneratorëve” vihet në pikëpyetje

Shpërndaje lajmin

Një letërkëmbim mes palëve politike tregon se socialistët kërkojnë ta reduktojë objektin e hetimit parlamentar në kontekstin e mbrojtjes së mjedisit, ndërsa demokratët nuk pranojnë ndryshime.   

Kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj. Foto: LSA

Komisioni hetimor parlamentar për ligjshmërinë e ngritjes së tre inceneratorëve për përpunimin e mbetejeve urbane rrezikon të rrëzohet, nëse mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë gjuhën e përbashkët deri ditën e enjte.

Që prej datës 14 tetor, kur projektvendimi u hoq nga seanca plenare me mirëkuptim mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, palët nuk kanë arritur të bien dakort për formulimin e objektit të hetimit në një letërkëmbim mes tyre.

Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi tha të hënën se PD i qëndron kërkesës që ka depozituar në Kuvend dhe shpresonte se të enjten nuk do të kishte “supriza” nga mazhoranca.

“Ne kërkojmë të hetohet afera e inceneratorëve, jo të krijojmë grup pune për mbetjet,” tha ai për BIRN.

Sipas letërkëmbimit mes kreut të grupit socialist, Taulant Balla dhe atij demokrat, Alfred Rushaj, socialistët e konsiderojnë kërkesën e demokratëve në tejkalim të parimeve kushtetuese dhe kërkojnë që ta reduktojnë objektin e hetimit “në kontekstin e nevojës për mbrojtjen e mjedisit”.

Ndërsa demokratët këmbëngulin tek formulimi i tyre, që ka si qëllim “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane”.

Në letrën e parë, Balla vënë në dukje se kërkesa është  në tejkalim të parimeve kushtetuese dhe me mangësi proceduriale dhe i ka kujtuar opozitës se ka ngritur akuza pranë SPAK-ut. PS pretendon se një hetim parlamentar në të njëjtën kohë do të sillte “influenca diktuese” për organet e drejtësisë nga parlamenti, duke cënuar pavarësinë e pushteteve. Më tej, socialistët e shohin çështjen e inceneratorëve si “punë të përditshme të qeverisë” dhe kësisoj jashtë kompetencave kontrolluese të Kuvendit.

Në përgjigjen e saj, PD merr parasysh disa vërejtje të PS-së, por nuk pranon ndryshime në formulimin e objektit të hetimit duke i cilësuar ato si një tentativë për ta pamundësuar funksionimin e komisionit.

“Reduktimi, vetëm në nevojën e ndërhyrjeve në ligj për menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit, përveçse eliminon dy qëllime thelbësore të komisioneve hetimore (kontrollin e zbatimit të ligjeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale), në fakt e shndërron komisionin në një grup pune, të ngjashëm me ato që ngrihen pranë ministrive apo organeve ekzekutive, për draftimin e projektligjeve,” shkruan në përgjigjen e tij, Rushaj.

Në një letër të dytë, PS e fton PD-në që të negociojnë duke i mëshuar argumentit se çdo përfundim i komisionit (pozitiv apo negativ) do të ndikonte në vendimarrjen e organeve të drejtësisë.

Grupi parlamentar i PS-së nuk ka marrë ende një vendim për votimin,  por Taulant Balla i tha BIRN se është optimist për arritjen e konsensusit.

“Deri të enjten do gjendet formulimi,” tha Balla.

Opozita e nisi legjislaturën parlamentare me tre kërkesa për komisione hetimore, por deri më tani vetëm ai për hetimin e zgjedhjeve është ngritur. Komisioni për çështjen “Bechetti” u rrëzua në Kuvend, por vendimi u ankimua të hënën në Gjykatën Kushtetuese nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.